Koncensioni i Bulqizës

02/02/2013 00:00

Ish-zëvendësministri i Energjetikës Pajtim Bello thotë se shitja për
herë të dytë e koncesionit të kromit vulos përfundimisht fundin e
minierës së Bulqizës.

“Eshtë marrë vendim për ta ndëshkuar përfundimisht minierën e Bulqizës, për ta përcaktuar përfundimisht fatin e saj. Dëmi është i qartë, miniera e Bulqizës nuk është e hapur dhe jetëgjatësia e saj tashmë numërohet në muaj, jo në vite. Edhe minerali që ka mbetur do të merret dhe askush nuk do ta hapë më atë minierë”, thotë Bello.

Tre ditë më parë Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se kompania ‘ACR’ ja ka shitur 100 për qind të aksioneve grupit ‘Balfin’, që zotërohet nga biznesmeni shqiptar Samir Mane.

“Kompania shfrytëzoi mineralin e kromit, transferoi fitimet, tashmë merr edhe një dorë eurosh nga shitja e aksioneve dhe largohet pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë. Ndërkohë ne na lë një të keqe të madhe, ashtu siç u paralajmërua para dy vjetësh”, shton Bello.

Sipas të dhënave zyrtare të bëra publike nga vetë Ministria e Ekonomisë, ACR nuk ka realizuar 13 milionë euro nga plani i detyrueshëm i investimeve, që kryesisht kanë të bëjnë me hapjen e thellësisë së minierës për rritjen e jetëgjatësisë së saj. Bello thotë se shitja në këto kushte duhet të ishte ndalur.

“Absolutisht koncensionari nuk mund të ikë duke shitur. Ai mund të përzihet, pra mund ta largojë Qeveria, por mbasi të paguajë penalitetet. Nuk mund të pritej që këto kompani të largohen pasi konsumojnë gjithë kohën për të kryer investimet, nuk i kryejnë dhe pastaj ikin. Kompanitë shfrytëzojnë burimet e mineraleve dhe ikin pa i hyrë një gjemb në këmbë”, shton Bello.
 
Abuzimi 12-vjeçar me kromin  
   

Ikja e kompanisë ruso-austriake shënon fundin e një historie abuzimi dhe shpërdorimesh me një nga pasuritë më të madhe publike, minierën e kromit në Bulqizë. Koncesioni i minierës është miratuar që në vitin 2001 nga ish-Qeveria socialiste.

Bashkangjitur marrëveshja përmbante edhe një plan të detyruar investimesh për rritjen e sigurisë në punë, përmirësimin e teknologjisë në minierë dhe zgjatjen e jetës së saj. Por plani i investimeve nuk u zbatua si nga darfo fillimisht ashtu dhe nga acr më vonë.

Në qershor të vitit 2009, kur afati ligjor kishte skaduar të dy kompanitë kishin kryer vetëm gjysmën e investimeve të detyruara. E gjendur përballe kësaj shkelje, që ligjërisht e rrëzonte koncesionin e minierës, ACR kërkoi shtyrjen e afatit të investimeve dhe shtyrjen për pagesën e gjobës që ajo duhet të paguante për mosrealizimin e tyre.

Vetëm 2 ditë pas kësaj kërkesë, në 9 korrik të vitit 2009, ish-ministri i Ekonomisë Genc Ruli përmes një procedure të dyshimtë miratoi kërkesën më një vendim të vetin, duke anashkaluar kuvendin, i cili ishte organi që kishte miratuar marrëveshjen koncesionare. Pa kërkuar miratimin në Kuvend, Zoti Ruli i dha të drejtë kompanisë që 11.4 milionë dollarët që duhet t’i kishte investuar t’i riskedulonte deri në fundin e vitit 2012.
Paralelisht ish-kreu i Energjetikës shtyu edhe pagesën e gjobës prej 1.6 milionë dollarësh, që kompania duhet të derdhte menjëherë në shtet për moskryerjen e investimeve. Por edhe pas kësaj shtyrje sërish kushtet nuk u zbatuan. Në fund të vitit 2012 acr kishte realizuar vetëm 30 për qind të investimeve, të cilat duhet të kishin përfunduar ligjërisht që në vitin 2009.

Ndërsa gjoba 1.6 milionë dollarë, që kompania duhet ta derdhte brenda gushtit të vitit 2010 në buxhet nuk u shlye asnjëherë. Tashmë kompania po largohet, pasi ka shfrytëzuar më shumë se 6 vjet rezervat e gatshme të kromit, duke marrë fitimet pa kryer asnjë investim dhe duke lënë pas një faturë të madhe për publikun: Rrezikun e mbylljes përfundimtare të minierës sepse shfrytëzimi i rezervave të të gatshme të kromit ka cënuar rëndë rentabilitetin e saj. Kjo i jep fund një koncesioni që në fund pati vetëm një rezultat, privatizimin e fitimeve të pasurisë publike dhe kalimin e humbjeve te qytetarët.

Top Channel