Pas dështimit të raundit të parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, dilemat dhe skenarët për zgjedhjen e kreut të shtetit janë shtuar më shumë se kurrë.

Kryesisht për shkak të dilemave të mëdha një mujore për shkak të lëvizjes në periferi të mazhorancës të figurave si Meta dhe Nanos, demokratët dolën me një propozim për një format diplomati, akademiku dhe juristi, në vend të zgjedhjes së tyre të parë dhe të paralajmëruar më parë, atë të një politikani të lartë të PD-së.

Në këtë arsyetim, duket se opozita ka arritur të regjistrojë suksesin e saj të parë, ka detyruar maxhorancën të tërhiqet nga alternativa e saj e parë, ka rrëzuar kandidaturën e Nanos dhe ka lëkundur Metën, që luhatet midis të dy spektrave kryesorë politikë.

E megithatë, edhe pas lëshimit të parë të Berishës, nuk ka një marrëveshje. Për të folur për qëndrimin e opozitës, qëndrimin e saj të ardhshëm në këtë proces dhe emrat konkretë, në studion e Sokol Ballës, në “Top Story”, ishte i ftuar kryetari i grupit parlamentar të socialistëve, Gramoz Ruçi. Në bisedë përballë tij u vendosën tre analistë, Henri Çili, Arjan Vasjari dhe Robert Rakipllari.

Pas djegies së raundit të parë, Partia Socialiste flet për procesin, ndonëse në treg është emri Zaganjori. Komenti i Zotit Ruçi nisi pikërisht nga pyetja që shtrojnë të gjithë, përse socialistët rrëzuan një kandidaturë jopolitike, me karrierë kushtetuese dhe pa ndonjë lidhje të paktën të drejtëpërdrejtë me maxhorancën.

Ruçi për mosvotimin e Zaganjorit

“Keni të drejtë kur shtroni pyetjen që përse ne kemi refuzuar kandidat, por unë që kam qenë në bisedime e di nuk që nuk është kështu e vërteta, pasi kandidati refuzohet kur të propozohet, jo kur të njoftohet një orë para se të mbahet votimi. Këtu s’kemi të bëjmë me konsensus. Takimi i dytë me zotin Patozi i ka paraprirë një takim i parë ku as ne dhe as negociatorët e PD-së nuk dhanë emra. Thjesht u paraqitën pikëpamjet për procesin. Ne përsëri kërkuam një proces dhe pastaj të vinim tek emri, kërkuam disa kritere dhe bisedime. Kërkuam dhe nuk vumë kushte siç thotë maxhoranca, kërkuam që katër probleme thelbësore, që kanë të bëjnë me fatin e Shqipërisë në raportin me BE-në, të bëheshin objekt i diskutimit të një tryeze të krerëve të partive parlamentare dhe atyre t’u jepej përgjigja sa më shpejt që statusi i refuzuar dy herë të mos refuzohet për herë të tretë”, argumentoi Ruçi.

“Ne shkuam në takim me shpresën dhe besimin që negociatorët e PD-së të na jepnin përgjigje për problemin e shtruar. Ne nuk bëmë në fakt refuzim, takimi ishte dhjetë minuta dhe pastaj shkuam në seancë. Patozi propozoi që të shtynim seancën deri pasdite dhe të mendonim të votonim kandidatin, por s’kishte logjikë që të shkonim kështu në këtë proces, kështu siç u shtrua emri, për një kandidaturë të paparaqitur më parë në rrugën kushtetuese. Kushtetuta ka kritere dhe kushte se si paraqitet një kandidat për president dhe këto nuk janë respektuar”.

Çili: Opozita konfliktuale me veten, procesi ka vendosur që tani një standart të ri

Në analizën e tij politike, Henri Çili foli për një standart të ri të vendosur në politikën shqiptare, pavarësisht se si do të vazhdojë procesi deri në përfundimin e tij. “Ka një seri rrethanash të arsyeshme dhe pozitive që lidhen me Presidentin, i cili është një surprizë pozitive deri tani, edhe sikur të kemi zhvillime negative deri në fund. Zotin Ruçi e shoh të qetë, sepse me atë fitore që thatë ju, me detyrimin e maxhorancës që të heqë dorë nga kandidati brenda radhëve të PD-së, ka imponuar një format të ri për postin e kreut të shtetit”.

Çili vazhdoi vlerësimin e tij duke shtuar: “Zgjidhet apo jo Zaganjori, aktorët arritën të imponojnë atyre që kanë shumicën një format politikani të mishëruar tek profili i Zaganjorit, që është edhe akademik, edhe teoricien i së drejtë, dhe jo një drejtues i lartë i PD-së, jo një partizan i mazhorancës. Pritej një frymë përçarëse, konfliktuale dhe tashmë kemi një kandidat konfort për të gjithë. Pyetja ime është se përse opozita se merr si fitore të lojës së saj në lidhje me Metën që kushtëzoi skemën dhe të votojë pro zgjedhjes konsensuale. Kjo është në përputhje me atë që opozita donte në vitin 2008 me ndryshimet kushtetuese, që procesi i presidentit të shkëputej nga cikli qeverisës dhe të hiqej shantazhi ndaj maxhorancës për provokimin e zgjedhjeve të. Zaganjori është një njeri brenda formatit, prandaj opozita është paradoksale në këtë moment, sepse e njëjta që donte të ndaheshin këto dy procese, sot artikulon tryezë dhe grup kërkesash që lidhin politikën e ditës me çështjen e presidentit”.

Ruçi: Presidenti, i lidhur me reformat prej Brukselit dhe jo prej PD-së. Presidenti nuk mund të jetë i yni pasi si kemi votat

Në debatin që nisi Henri Çili, Ruçi deshi të saktësonte se tre të ashtuquajturit “kushte” për zgjedhjen e presidentit, reforma zgjedhore, ajo parlamentare dhe ndryshimet kushtetuese nuk janë një “kapriço” e selisë rozë, por një “ultimatum” i vetë Brukselit.

“Në gjykimin dhe vlerësimin tim si shqiptar dhe politikan, këtu nuk është fjala kush do të fitojë më shumë e më pak nga presidenti. Opozita ka bërë një kapërcim dhe është vendosur disa lëvizje para dhe jo për të fituar një betejë elektorale, jo të fitojë Presidentin, sepse ne si kemi këto vota dhe se kemi objektivin që të fitojë një kandidat i yni, por është fjala për politikën shqiptare që përpara një viti e gjysmë, konsensusi midis dy partive për zgjidhjen e krizës politike ishte kusht i BE-së për ne dhe opozita ka kapërcyer ylberin. Kam dëgjuar analistë të tjerë që heqin vijën e barazimit mes demonstratës të 21 janarit dhe bashkëfajësisë me atë që vrau maxhoranca. Demonstrata ka në çdo vend demokratik, ku protestuesit ndalohen, ndëshkohen, përplasen me policinë, gjykohen dhe dënohen siç u dënuan, por nuk vriten. Ata nuk shkuan për karrigen e kryeministrit, por për vendin e punës dhe si futi njeri me zorr ata njerëz në 21 janar dhe të gjithë e pamë. Në këtë kuptim, opozita ka bërë një kapërcim të madh përpara, në lidhje me angazhimet tona në raport me Shqipërinë. Kemi përmbushur misionin për detyrat, kemi votuar të gjithë kodet duke plotësuar disa prej kritereve, por tashmë ka mbetur reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare. Duke pasur shtatorin përpara dhe duke qenë se në këto kushte një përgjigje e tretë radhazi negative e BE-së është e afërt, zbatimi dhe miratimi i tyre nuk është një kusht i opozitës, por i Brukselit”.

Pas një pyetje të Vasjarit në lidhje me mënyrën se si mund të trajtohet çështja e reformave, Ruçi u shpreh se nuk sheh asnjë pengesë që kjo çështje të trajtohet dhe miratohet në seancat e ardhshme të Kuvendit, përkrah trajtimit të çështjes së Presidentit.

Ruçi: Zaganjori nuk është një kandidat, ne nuk njohim asnjë që nuk vjen nga tryeza e bisedimeve

Kryeredaktori i gazetës “Panorama”, Robert Rakipllari i bëri një pyetje konkrete socialistit Ruçi, në lidhje me gatishmërinë e tyre për përzgjedhjen e Zaganjorit, gjithmonë nëse këtë herë emri i tij do të paraqitet në një tryezë konsensuale. “Nuk dua të diskutoj dhe as të lançoj emrin e kandidatit. Unë pranoj emër në tavolinë, pranoj të komentoj vetëm nëse diskutojmë me emra në tavolinë”, tha Ruçi.

“Problemi madhor, në një Shqipëri me shumë probleme është se grupimet kryesore nuk e shikojnë njëri-tjetrin si kundërshtar, por armiq. Kundërshtari nuk pranon dialogun. E thashë dje dhe e them edhe sot, në demokraci kundërshtari nuk zgjidhet. Unë s’kam dëshirë të ulem me Berishën, por jam i detyruar, dua apo s’dua unë, sepse demokratët shqiptarë e kanë votuar dhe unë jam i dënuar dhe i detyruar të ulem e të debatoj. E njëjta vlen edhe për të. E dyta, marrëveshja nuk bëhet me vete, por me kundërshtarin. Nuk ka kandidat zyrtar, prandaj nuk dua të flas”.

Për Partinë Socialiste janë tre skenarë të mundshëm, e para zgjedhja e presidentit me konsensusin e të gjitha partive parlamentare, e dyta zgjedhja e presidentit nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim dhe e treta, që kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi e cilëson si zgjedhja më e keqe e mundshme, është zgjedhja e presidentit vetëm Partia Demokratike.

Por PD e vetme nuk ka votat e nevojshme për të zgjedhur presidentin pa LSI-në. Për zotin Ruçi një skenar i tillë mund të ndodhë, nëse përsëritet 2007, kur gjashtë deputetët të Partisë Socialiste votuan për kandidatin e propozuar nga demokratët, deri në atë kohë nënkryetar i PD-së dhe kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, Bamir Topi.

Ndërsa sa i përket raportit të Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim Ruci tha se PS dhe LSI aktualisht janë në rivalë politikë, jo partner. Por deputeti socialist vlerësoi qendrimin konstant të LSI-së përsa i përket presidentit duke lënë të hapur mundësinë  e konsensusit, ndryshe nga Berisha, që sic tha Ruci, prej një viti trumpeton kandidat një emër nga kryesia e PD-së.

Në media qarkullojnë zërat për një mocion mosbesimi nga ana e PS-së për qeverinë PD-LSI. Mundësia e një mocioni u kundërshtua nga kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Gramoz Ruçi.

Ruci deklaroi se socialistët e kanë kandidaturën e tyre për president, por refuzoi të bëjë publik emrin. Ndërkohë, mundësisë së kandidimit nga ana e PS-së të emrit të Fatos Nanos përballë kandidatit të mazhorancës, Xhezair Zaganjori, Ruci la derën e hapur, duke thënë se opozita nuk përjashton asnjë emër, aq më pak Nanon.

Socialistët këmbëngulin për uljen në tryezë të Berishës dhe Ramës për të diskutuar mbi zgjedhjen e presidentit. Në tryezë PS hedhe katër pika, zgjedhjen e presidentit, reformat zgjedhore e parlamentare dhe heqjen e imunitetit të deputëtëve. Kryeministri Berisha refuzon të ulet në tavolinë negociatash me Ramën duke këmbëngulur që bisedimet të zhvillohen në nivel ekspertësh. Një takim i tij me Ramën, do të ishte i pasuksseshëm, vlerëson kreu i mazhorancës.

Por nëse Berisha vendos të ulet në negociata, a do të lëshojë Partia Socialiste nga tre pikat e saj, imunitetit, reforma zgjedhore dhe reforma parlamentare duke u përqendruar tek zgjedhja e presidentit? Kësaj pyetje zoti Ruci iu përgjigj duke argumentuar se PS synon të sigurojë dy kushte, e para pavarësia e presidencës nga mazhoranca, dhe e dyta, pavarësia e përmirësimi i insitucioneve që varen nga presidenti.
 

Top Channel