Komisioni Europian e ka nisur punën për hartimin e studimit të fizibilitetit për Kosovën. Por nisjen zyrtare të hapit të parë për rrugën e integrimit të vendit do ta bëjë Komisioneri Stefan Fule gjatë vizitës në Prishtinë, të martën më 27 mars.
Në takimet që nisin me Presidenten Jahjaga, Këshillin Kombëtar për Integrim, e më pas me Kryeministrin Hashim Thaçi dhe me disa ministra, Fyle pritet të bisedojë edhe për disa tema të tjera, si përparimi në procesin e vizave, mundësitë për përfshirjen në programet e BE-së apo për anëtarësimin në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Por siç konfirmuan disa zyrtarë europianë, Komisioneri nuk pritet të çojë në Prishtinë udhërrëfyesin e shumëpritur të vizave, pasi për këtë temë vijojnë debatet mes vendeve anëtare në këshill, dhe për momentin e vetmja periudhë mbetet fundi i pranverës, siç pati deklaruar së fundmi Komisionerja përgjegjëse Cecilia Malmstrom.
Një tjetër temë e nxehtë do të jetë edhe veriu i Kosovës. Komisioni kërkon që Prishtina të zhvillojë një plan apo një “kalendar afatgjatë integrimi”, paralelisht me bisedimet në dialogun e Brukselit, i cili pritet të rinisë vetëm pas zgjedhjeve në Serbi.
Studimi i fizibilitetit pritet të përfundojë në vjeshtë, kur Komisioni Europian do të vlerësojë nëse Kosova ka kapacitetet e duhura për të nisur negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel