Sanksionet ndaj Iranit

22/03/2012 01:36

11 vende, sipas zyrtarëve amerikanë, kanë “pakësuar ndjeshëm” blerjen e naftës iraniane dhe për këtë arsye nuk do të bëhen objekt i sanksioneve të Shteteve të Bashkuara, qëllimi final i të cilave është të ushtrohet presion ndaj republikës islamike dhe ambicjeve të saj bërthamore.

Shefja e Diplomacisë Amerikane, Hillary Clinton iu drejtua përmes një njoftimi këtyre vendeve, kryesisht europiane, e nxiti dhe importuesit e tjerë të naftës iraniane që të ndjekin shembullin e tyre.

Sipas “Zërit të Amerikes”, një vlerësim special Klinton pati për Japoninë, gjestin e së cilës e vlerësoi sidomos për faktin se ndërprerja e importeve bëhet në kohën kur vendi përballet me sfida të jashtëzakonshme energjitike.

Sekretari i Shefit të Kabinetit të Japonisë deklaroi se vendi i tij është i gatshëm edhe për hapa të mëtejshëm.

“I thamë palës amerikane se ritmi i shkurtimit do të shpejtohet dhe se importet e naftës iraniane bruto do të reduktohen ndjeshëm krahasuar me 5 vitet e fundit”, tha Osamu Fijimura, Sekretar i Shefit të Kabinetit, Japoni.

Vende të tjera, bankat e të cilëve nuk do të preken nga sanksionet, janë Belgjika, Republika Çeke, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Holanda, Polonia, Spanja dhe Britania.

Akti i autorizimit të mbrojtjes kombëtare i 2012-ës, i lejon presidentit amerikan Barak Obama të vendosë sanksione financiare ndaj bankave të huaja që përfshihen në transaksione me Bankën Qëndrore të Iranit. Ndërprerja e lidhjeve me këtë të fundit është një hap, që do ta nxirrte vendin nga sistemi financiar botëror.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA