Varësia e informacionit sekret

28/02/2012 15:05

Opozita e ka kundërshtuar ashpër ndryshimin e ligjit për funksionimin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.

Deri tani, në ligj ka qenë i paracaktuar termi pranë Këshillit të Ministrave, por në komisionin e sigurisë është kërkuar ndryshimi duke përcaktuar qartë me termin “nën varësi” të kryeministrit.

Për nenkryetarin e grupit socialist në këtë komision, Ilir Gjonin, kjo kërkesë është mani e kryeministrit për të zgjeruar pushtetin e tij.

“Kundërshtia jonë bazohet në atë që shqetëson më shumë opinionin publik dhe kjo ka të bëjë me faktin se në patologjinë politike të kryeministrit, simptoma kryesore është ajo e grumbullimit të pushtetit”, u shpreh Gjoni.

“Nisma e propozuar nuk garanton pavarësi profesionale. Pra, kjo nuk ka të bëjë aspak me korrigjimet apo përmirësimet e ligjit, por lidhet me një dëshirë politike të kryeministrit, për të grumbulluar sa më shumë pushtet në duart e tij”, shtoi ai.

“Edhe ky ndryshimi propozuar, pikërisht bazohet në këtë filozofi, pasi kalohet nga një kontroll apo menaxhim kolegjial, në një kontroll individual”.

Ndërkohë që përfaqësuesit e DSIK-së, deklaruan se deri më tani, pavarësisht emërtimin në ligj për varesinë e tyre, që nga viti 2003 ata kanë qenë varësi vetëm e kryeministrit.

“DSIK informon peridiokisht kryeministrin për mënyrën se si trajtohen çështjet e sigurisë së informacionit. Këshilli i Ministrave është gjithashtu në varësinë e kryeministrit. Pra, raportet dhe relacionet tona i shkojnë vetëm atij. Drejtori i DSIK-së, nuk informon përpara Këshillit të Ministrave, si organ kolegjial, por vetëm përpara kreministrit. Ne vetëm legjitimojmë vetëm aspektet praktike. Kjo nuk do të thotë se që prej vitit 2003 ka ndonjë shkelje ligji nga ana funksionale apo organizative”, u shpreh drejtori i DSIK-së.

Por, me votat e maxhorances në këtë komision, ndryshimi në ligj kaloi për miratim në komisionin e ligjeve.

Top Channel