SHBA kundër Rusisë: S’ndryshojmë plan

23/11/2011 00:00

Pavarësisht kërcënimeve të Rusisë për vendosjen e raketave dhe sistemeve të tjera mbrojtëse në kufijtë e Bashkimit Europian nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë me projektin e tyre për vendosjen e sistemit mbrojtës raketor në Europan Lindore, Uashingtoni shprehet i vendosur për të mos u kthyer pas në vendimin e tij.

“Mbrojtja anti-raketore e NATO-s dhe SHBA-ve në Europën Lindore nuk është drejtuar kundër Rusisë dhe ne s’kemi asnjë plan për të modifikuar këtë projekt”, deklaroi zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Uashington, Tommy Vietor.

Vietor tha se mburoja raketore do të shërbejë për mbrojtjen e Europës dhe gjithë perëndimit nga ambicia e Iranit për t’u shndërruar në fuqi bërthamore.

Kërcënimi rus: Vendosim raketa në kufinjtë e BE-së 

Presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, paralajmëroi për vendosjen e
sistemeve ushtarake mbrojtëse në kufinjtë e BE-së, nëse Shtetet e
Bashkuara do të çojnë përpara projektin e tyre raketor në Europë.

Më parë gjatë javës, një “burim i sigurt” ishte cituar nga agjensia e lajmeve “Interfax”, duke paralajmëruar mundësinë e vendosjes së bazave në Bjellorusi, por në një intervistë gjatë të mërkurës, vetë presidenti Medvedev paralajmëroi që përgjigja e Kremlinit mund të jetë në një shkallë shumë më të gjerë.

”Do të jemi të detyruar të vendosim sisteme moderne raketash në Kalinigrad dhe në zonat e tjera pranë kufirit me Europën, nëse SHBA dhe NATO nuk do të arrijnë të gjejnë një marrëveshje mbi projektin kërcënues për integritetin e Rusisë”, deklaroi Medvedev.

Gjithashtu, ai paralajmëroi që pas marrëveshjes së arritur më parë gjatë vitit për reduktimin drastrik të armëve bërthamore ruse dhe amerikane, këmbëngulja e Uashingtonit në zbatimin e planit, mund të ndezë nisjen e një gare të re armatimi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë lajmëruar për qëllimin e tyre të vendosjes së raketave të sofistikuara, në baza në Poloni dhe Republikën Çeke. Armët kanë qëllim mbrojtës, pasi janë të specializuara në shkatërrimin në ajër të raketave bërthamore. Sipas Obamës, një projekt i tillë synon të krijojë një “mburojë mbrojtje” përballë ambicieve të Iranit, por për Moskën, plani adresohet edhe kundër tyre.

Më parë gjatë nëntorit, me rastin e firmosjes së një dokumenti që përbën bazën e themelimit të një Bashkimi Euroaziatik, kryeministri Putin theksoi se “armatimi i çfarë do shteti në kufinjtë e Rusisë është i papranueshëm”.

Top Channel