Hackerat rusë shkatërrojnë ujësjellësin amerikan

21/11/2011 19:05

Hackerat rusë shkatërruan një pompë që përdorej për të furnizuar me ujë disa mijëra shtëpi në Ilinois, SHBA, lajmëroi gjatë të hënës një ekspert i infrastrukturës ujore.

Piratët kibernetikë arritën të fitonin akses në sistemin e drejtimit të ujësjellësit dhe dogjën pompën, duke e ndezur dhe fikur në mënyrë të vazhdueshme brenda pak kohe.

Ndonëse incidenti ndodhi në datën 8 nëntor, ekspertët arritën të zbulonin me dy javë vonesë dhe rastësisht, që shkaktar për defektin ishin bërë rusët. Ngjarja është veçanërisht shqetësuese, sidomos në dritën e fakteve se një tjetër pirat rus kishte depërtuar, këtë radhë pa shkaktuar dëme, në një tjetër sistem ujësjellësi në SHBA.

“Ky është rasti i parë që kriminelë kibernetikë arrijnë të kenë akses në drejtimin e sistemeve kyçe infrastrukturore. Në këto kushte, djegia e pompës ishte gjëja më e mirë që mund të ndodhte, pasi ata mund të kishin hapur depot dhe të shkaktonin një përmbytje të rrezikshme për jetën e njerëzve”, deklaroi Joe Weiss, i ngarkuar shtetëror për mbikqyerjen e rrjeteve të sistemeve infrastrukturore.

Top Channel