LSI: Reforma, gjithëpërfshirëse

16/11/2011 00:00

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama
ka përshëndetur paktin e arritur mes Partisë Demokratike dhe Partisë
Socialiste, për reformën zgjedhore duke e cilësuar atë një hap të
mirëpritur dhe sjellje europiane e faktorit politik shqiptar.

“Duke qenë se Kuvendi do të vihet përballë këtij realiteti ne shpresojmë dhe besojmë që reforma zgjedhore, jo vetëm të realizohet në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, por c’është më e rëndësishmja dhe për këtë Lëvizja Socialiste për Integrim do të investohet maksimalisht, të garantojë gjithëpërfshirjen dhe transparencën e procesit. Gjithëpërfshirja është e rëndësishme, sepse një reformë që të jetë e suksesshme nuk mund të jetë monopol i dy apo tre partive”, tha Rama.

I pyetur nga Top-Channel gjatë konferencës për shtyp se cfarë sistemi zgjedhor do të parapëlqente LSI-ja të përfshihej në reformë, Luan Rama dha këtë përgjigje: “Të shkojmë te një sistem, që e lexon më mirë votën e qytetarëve shqiptarë dhe që cdo votë të jetë vlerë përfaqësimi në mandatet e përfaqësimit në Kuvend. Ndoshta një sistem proporcional kombëtar do të ishte zgjidhja më e mirë, por në pamundësi të kësaj edhe sistemi aktual me një korrektim gjithashtu kombëtar, mund të ishte një zgjidhje më e mirë nga ajo që është. Pavarësisht sistemit, ne jemi të bindur që roli i Lëvizjes Socialiste për Integrim, si faktor i rëndësishëm dhe përcaktues në krijimin e maxhorancave qeverisëse, nuk është aq i lidhur me sistemin, sa është rol që vjen prej faktorizimit politik”.

Pakti i politikës

Politika shqiptare gjen më në fund gjuhën për t’i dhënë fund krizës, që po mban pezull reformat prej më shumë se dy vjetësh. Mazhoranca dhe opozita arritën një marrëveshje politike, e cila parashikon krijimin e Komisionit për reformën zgjedhore, krijimin e një grupi pune për rishikimin e projektligjeve që kërkojnë 3/5 e votave dhe për herë të pare në seancën plenare të ditës së enjte, opozita do të votojë disa projektligje, por që nuk lidhen me paktin e drejtesisë.

Rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, të parën mes dy partive të mëdha pas zgjedhjeve të 2009-ës, nuk e zbeh dot as mungesa e zhurmës politike, që shoqëron zakonisht të tilla procese.

Fare butesisht, sikur te mos ishin perplasur me qindra here me fjalorin me te ashper, madje edhe me perplasje fizike, demokratet dhe socialistet zgjodhen nje nga instrumentat me te rendesishem te Parlamentit, Konferencen e Kryetareve te grupeve parlamentare, per te rene dakort ne tre ceshtje, qe nisin zbatimin kete te enjte.

Top Channel