Fier, përplasje për qarkun

16/11/2011 00:00

Lufta politike për marrjen apo mbajtjen e pushtetit në Këshillin e Qarkut të Fierit ka degjeneruar në përplasje fizike aq sa është dashur ndërhyrja e forcave të rendit.

Të mërkurën ishte njoftuar mbajtja e mbledhjes së Këshillit të Qarkut, për herë të dytë sipas njoftimeve të bëra nga ana e prefektit të Qarkut Fier.

Këshilltarët e qarkut të zgjedhur për herë të dyte pasi PD mori kontrollin e disa këshillave bashkiakë, u drejtuan drejt sallës, por ata u penguan nga një grup simpatizantësh të Partisë Socialiste që kundërshtonin mbajtjen e mbledhjes.

Gjykata vendosi anulimin e zbatimit të urdhërit të prefektit për mbajtjen e mbledhjes, por ky vendim u interpretua në mënyra të ndryshme si nga Prefekti ashtu dhe nga Kryetari Këshillit të Qarkut. Prefekti dhe një pjesë e këshilltarëve ishin brenda godinës së Prefekturës.

“Jemi shprehur për vendimin e gjykatës. Kjo është fatkeqësia që persona përgjegjës dhe ekspertë të drejtësisë janë në radhët e Partisë Socialiste, i bëjnë keqinterpretimin këtij vendimi. Ai vendim pezullonte vetëm njoftimin dhe s’kishte në brendësinë e vet anulimin e mbledhjes dhe të drejtës së këshilltarëve për zgjedhjen e organeve të tyre drejtuese. Ky është vendimi i gjykatës”, deklaron prefekti Bujar Hasa.

Policia morri ne mbrojtje hyrjen per te penguar protestusit e grumbulluar jashte.

“Kemi dy masa, një akt-padi e ngritur nga prefekti ku ka kërkuar pezullimin e vendimit 34 dhe gjykata në datë 29 ka marrë një vendim pezullimi që do të thotë se deri në zgjidhjen e cështjes në gjykatë, në formë të prerë nuk ka të drejtë askush të marrë nisma për thirrjen e Këshillit Bashkiak, qoftë nga Këshilli i Qarkut, qoftë nga prefekti, për arsye se procesi është në gjykim dhe janë të detyruara institucionet të respektojnë vendimin e gjykatës. Këtu ka njerëz të majtë e të djathtë që kanë ardhur për të shprehur indinjatën ndaj prefektit i cili megjithëse është mbrojtësi i ligjit, e shkel atë me të dyja këmbët duke mos njohur as gjykatën asnjë lloj institucioni tjetër”, deklaron Vangjel Ndreka, kryetar i Këshillit të Qarkut në Fier.

Pas disa orë tensionesh mes palëve dhe në prani të policisë është vendosur të ndryshohet vendi i mbledhjes së këshillit të ri të qarkut, nga ambientet e prefekturës për në ambientet e një hoteli privat në qytetin e Fierit.

Në këtë mbledhje pritet të bëhet shkarkimi kreut aktual të qarkut, zgjedhur nga PS dhe zgjedhja e një përfaqësuesi të mazhorancës PD-LSI.

Top Channel