Serbët e Bosnjes “mësyjnë” Tiranën

12/11/2011 00:00

Një përfaqësi e madhe politike dhe biznesi e serbëve të Bosnjë- Hercegovinës “mësyu” Tiranën për të nisur një vizitë dyditore. Zyrtarët dhe biznesmenët e Republika Sërpska mësohet se në thelb të axhendës së tyre kanë zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare me Shqipërinë në disa fusha tepër strategjike.

Tirana zyrtare bëri publik faktin se, një delegacion i Kuvendit të Republikës Sërpska, i kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Igor Radojiçiç, zhvilloi takime zyrtare me kryeministrin shqiptar, Sali Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli në kuadër të forcimit të marrëdhënieve mes këtij entiteti dhe Shqipërisë. Por, mësohet se kjo vizitë e veçantë nuk është përgatitur nga protokolli zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme, që organizon axhendat e takimeve zyrtare në vend.

Në njoftimet për shtyp të bëra nga zyrat vendase theksohet se, mes të tjerash është diskutuar në lidhje me bashkëpunimin ekonomik, por në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Parlamentit të Serbëve të Bosnjës, theksohet se bashkëpunimi ekonomik është në thelb të këtij takimi. Kjo, sepse në njoftimin zyrtar të bërë publik në këtë faqe theksohet se ky takim dyditor në Tiranë është mundësuar edhe nga Dhoma e Tregtisë së Republikës Sërpska. Madje, në këtë njoftim shpjegohen në mënyrë të qartë dhe fushat e interesit të biznesmenëve serbë të Bosnjës në vendin tonë.

“Disa seri takimesh speciale do të zhvillohen nga pjesa ekonomike e delegacionit, që ka në përbërje rreth 15 sipërmarrës nga Republika Srpska. Këta biznesmenë zotërojnë ndërmarrje për prodhimin e ushqimeve, për përpunimin e drurit, industrinë energjetike dhe të përpunimit të naftës. Ata do të takojnë biznesmenë nga Tirana dhe e gjithë Shqipëria me qëllim që të lidhin bashkëpunim ekonomik dhe tregtar”, theksohet në faqen zyrtare të Parlamentit të këtij entiteti.

Gazeta Shqip

Top Channel