Meta: Reforma zgjedhore të jetë gjithëpërfshirëse

12/11/2011 00:00

Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon nisjen e punës për reformën zgjedhore dhe lënien mënjanë të retorikës apo fjalëve.


Në mbledhjen të kryesisë së kësaj partie, kreu Ilir Meta ka theksuar nevojën e kalimit në veprime konkrete, duke shprehur kështu vullnetin e qartë për të hequr dorë nga të gjitha politikat bllokuese për integrimin e Shqipërisë.

“Dua t’i bashkohem thirrjes së ambasadorit të OSBE/ODIHR-it, Eugen Wollfarth lidhur me domosdoshmërinë për fillim e punës për reformën zgjedhore, e cila thirret nga të gjithë, edhe nga Bashkimi Europian, pasi është koha për të lënë fjalët dhe retorikat dhe për t’i kthyer në vepra konkrete, për një reformë gjithëpërfshirëse dhe transparente”,  tha Meta.

Sipas tij, kërkesa për largimin nga praktikat që prodhojnë kriza është bërë tashmë e përgjithshme dhe përfaqëson një vullnet mbarëshoqëror. Meta ka shtuar se, sa i përket punës konkrete për reformën zgjedhore, ajo duhet të marrë në konsideratë edhe përvojën e deritanishme në të cilën do braktisur gjithçka që ka rezultuar e dëmshme për sistemin demokratik dhe funksionimin e tij.

“Nuk duhet të përsërisim praktika që kanë dështuar në të kaluarën, por duhet të vendosim demokraci për një plan afatgjatë. Vonesat janë të pajustifikuara. Është koha për të kaluar në veprime konkrete”, u shpreh Meta, duke lënë të kuptohet nevojën edhe për ndërhyrje në sistemin zgjedhor.

Kjo është deklarata e parë e LSI-së dhe Ilir Metës prej disa kohësh, kur debati është zhvendosur në çështjet që kanë të bëjnë me integrimin dhe reformat.

Gazeta Shqip

Top Channel