Kriza, Presidenti optimist për marrëveshje

11/11/2011 00:00

Presidenti i Republikës Bamir Topi ka besim se shumë shpejt do të ketë zhvillime pozitive në marrëdhëniet mes dy forcave kryesore politike. Ai thotë se e bazon optimizmin e tij, te mesazhet që ka mërrë sidomos nga faktori ndërkombëtar.

“Unë jam i predispozuar të jem optimist dhe këtë e shikoj jo thjesht tek mënyra e sjelljes së partive politike, që është, besoj, momenti më i rëndësishëm, por edhe tek komunikimi me partnerët ndërkombëtarë. Pra, është momenti që të gjithë duhet të bëhen koshientë që, sa më shumë kontestues refraktarë të jenë në bashkëpunim, nga eksperienca, aq më shumë pikë do të humbim… Unë besoj që jemi afër një mundësie zgjidhjeje të krizës, që ekziston, në krizën e besimit, që ekziston në marrëdhënien midis partive”, thotë presidenti Topi.

Presidenti renditi disa nga cështjet që sipas tij mund të gjejnë një zgjedhje të shpejtë.

“Unë e quaj të pakuptimtë që të mos zgjidhen disa institucione, sikurse është Institucioni i Avokatit të Popullit, sepse në këtë betejë politike do ta quaja, partitë politike dinë t’i ruajnë interesat e tyre, por Avokati i Popullit ka një simbolikë shumë të veçantë, pra bëhet avokat i interesave të çdo njeriu, të çdo qytetari. Pra, unë mendoj që partitë politike duhet ta zgjidhin në mënyrë imediate, pastaj, së dyti, çështje që ata vetë i kanë prononcuar, problemet e rregullimit të komunikimit në Parlament. Dhe pastaj zgjedhja besoj, edhe e Gjykatës Administrative që është shumë e rëndësishme, që shkon përtej interesit të partive politike, në interes të biznesit, të qytetarëve, edhe mjaft çështje të tjera, që sigurisht që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi, ku një pjesë e ligjeve është me 3/5-at”, vijon më tej kreu i shtetit.

Këto deklarata presidenti i bëri pas vizitës në fondacionin gjerman « Nehemia », në Buçimas të Pogradecit, që përkujtonte 20-vjetorin e aktivitetit në Shqipëri.

Top Channel