Kriza, Obama: Italia s’është si Greqia

10/11/2011 09:30

“Italia nuk është si Greqia. Është një vend i madh dhe i pasur. Athina ka një problem që ka të bëjë me aftësinë e pagimit, ndërsa Roma ka më tepër një problem likuiditeti”.

Kështu ka deklaruar presidenti amerikan Barack Obama, në përfundim të një prej ditëve më të vështira për Italinë, me rënien e bursës dhe përhapjen e efekteve të saj.

Nga Shtëpia e Bardhë, duke folur për agjencinë e lajmeve “ANSA” dhe media të tjera ndërkombëtare, Obama ka lëshuar një mesazh shprese, duke nënvizuar se Italia mund t’i bëjë ballë borxhit të saj.

“E gjitha kjo, me kusht që tregjet të mos kenë një krizë besimi mbi vullnetin tuaj politik dhe aftësinë për të mos humbur kontrollin e sistemit”, ka deklaruar Obama.

Arsyetimi i tij bazohet tek ajo që ndodhi në samitin e G20-ës në Kanë dhe tek roli më i vendosur që duhet të marrë përsipër Bashkimi Evropian.

“Gjatë samitit të G20-ës kam kërkuar në mënyrë të vendosur që Evropa të ndërmarrë hapat e duhur për të thyer efektin e infektimit, të prodhuar nga frika që po përjetojmë”, ka nënvizuar Obama.

Më tej presidenti amerikan i ka bërë një apel kancelarive evropiane, në vecanti Parisit dhe Berlinit, duke u kërkuar që të marrin përgjegjësitë e tyre deri në fund.

“Ajo që po përpiqemi t’i kërkojmë të gjithë Evropës, së pari Francës dhe Gjermanisë që kanë influencën më të madhe, është të arrijë një marrëveshje serioze me Greqinë”, ka nënvizuar Obama.

Ndërsa lidhur me Italinë ai ka përfunduar: “Është e nevojshme që Evropa t’u dërgojë një mesazh të qartë tregjeve, për t’u siguruar që Italia të kalojë këtë krizë likuiditeti. Deri tani Evropa nuk ka vënë në veprim strukturat që mund t’u sigurojnë tregjeve këtë besim. Nuk është vonë, por duhet vepruar në mënyrë agresive”.

Top Channel