Neymar është futbollisti i momentit në Amerikën Latine dhe Pele nuk lë rast të shpëtojë pa i thurur elozhe sulmuesit që premton shumë në të ardhmen.
Ai që nga shumë tifozë konsiderohet si futbollisti më i mirë i historisë ka theksuar se Brazili nuk ka pse të ketë zili Argjentinën sepse më në fund edhe Selecao ka një futbollist në nivelin e Messi dhe ky futbollist është pikërisht Neymar.
“Njerëzit flasin për Messin, por Brazili ka Neymar, i cili do të bëhet një futbollist i madh sepse ka shumë cilësi. Ekipi i Santos është një fabrikë talentesh dhe kohët e fundit po nxjerr shumë futbollistë të mirë”, tha Pele.
“O Rei” mendon se 19-vjeçari duhet të jetë më agresiv në lojë për të evituar goditjet e kundërshtarëve: “Nuk them që duhet të krijojë konflikte në fushë, por duhet të mësojë të mbrohet. Gjithmonë kam folur për këtë gjë me Neymar sa herë që jemi takuar. Ai është shumë i zoti, më i miri i ekipit dhe sigurisht që kundërshtarët e markojnë ashpër. Detyra e tij është të mbrohet.”
Top Channel