“Baza e programit qeverisës dhe jo thjesht një pamflet elektoral”. Kështu e ka cilësuar kreu i opozitës Edi Rama në një intervistë për Top-Channel, programin e Partisë Socialiste të publikuar të enjten dhe të titulluar “Rilindja Shqiptare”. Edi Rama thotë se taksimi progresiv nuk do të cënojë biznesin.

TCH: Zoti Rama, a mendoni se projekti juaj i taksimit progresiv mund të cënojë biznesin?

Rama: Në asnjë mënyrë jo, përkundrazi projekti ynë do të bëjë të mundur që 95% e shqiptarëve të kenë mundësi të blejnë më shumë, kështu edhe vetë biznesi të ketë mundësi të ketë më shumë konsumatorë aktivë. Ndërkohë që nga ana tjetër, ata që sot janë të trysnuar me referenca, me gjoba mafioze, me mungesën e konkurencës në treg, do të clirohen nga referencat, do të clirohen nga gjobat dhe do të clirohen nga zinxhirët ku i mban lidhur klientela e pushtetit. Pra, jo vetëm 95% e shqiptarëve do paguajnë më pak taksa dhe do kenë më shumë lekë në xhep, por edhe do të shpëtojnë nga ata pesë vetë që bëjnë ligjin në oborrin e pushtetit, si klientë të drejtëpërdrejtë të barkut të atij oborri.

TCH: Ku bazohet modeli juaj i taksave, a keni marrë modelin e ndonjë vendi perëndimor?

Rama: Taksimi progresiv, që do të thotë se kush fiton më pak paguan më pak taksa dhe kush fiton më shumë paguan më shumë taksa, është një normë jetike në sistemin fiskal perëndimor dhe ndërkohë taksa e sheshtë është një eksperiencë e dështuar e cila ka treguar se jo vetëm përmes taksës së sheshtë nuk ka rritje të punësimit, por përkundrazi ka një polarizim të skajshëm social, mu kështu sic ndodh në Shqipërinë e Saliut.

TCH: Programi që PS ka publikuar është një program qeverisës apo politik?

Rama: Është baza e programit tonë të nesërm qeverisës. Është një program bazë të cilin ne do ta cojmë derë më derë e dorë më dorë, do ta diskutojmë gjerë dhe gjatë për ta kthyer në një program qeverisës deri në detaje. Dhe do t’i qëndrojmë deri në një të gjitha atryre që sot janë angazhimet tona solemne. Duke filluar nga angazhimi ynë për një Shqipëri më të drejtë në shpërndarjen e pasurisë dhe deri tek angazhimi ynë për një Shqipëri pa plehra.

TCH: Cili do të jetë prioriteti juaj absolut qeverisës?

Rama: Le të themi se prioriteti themelor është ndryshimi rrënjësor i modelit qeverisës, duke ndryshuar modelin ekonomik, duke ndryshuar modelin social, duke ndryshuar modelin e funskionimit të demokracisë dhe duke ndryshuar modelin e europianizimit të vendit.

TCH: Kritikët tuaj e cilësojnë programin si të parealizueshëm, apo mashtrim. Në fakt, zoti Rama, këto janë premtimet e c’do politikani apo force politike që kërkon të vijë në pushtet. Po përse shqiptarët duhet të besojnë tek ju se me këtë program do të përmirësohet jetesa e tyre?

Rama: Besoj që demokracia ka një të mirë, që është edhe e mira që e bën demokracinë, sistemin më të vlefshëm për qytetarin. Kush qeveris dhe nuk i përmbahet premtimeve duhet të largohet. Kush premton duhet të ketë shansin që të qeverisë e pastaj sigurisht demokracia funksionon njësoj për të gjithë. Ajo cfarë unë do të thosha është, kritikët le të vazhdojnë punën e tyre, ne do të vazhdojmë punën tonë dhe hap pas hapi do t’ua shpjegojmë shqiptarëve, se ky nuk është një pamflet elektoral, por një program i mirëfillitë për ta nxjerrë Shqipërinë nga një krizë ciklike, që vazhdon prej 20 vjetësh dhe që në 6 vitet e fundit me Saliun ka arritur aty, ku sic e thonë njerëzit me plotë të drejtë, nuk mban më.

TCH: Cili do të ishte mesazhi juaj në prag të kongresit?

Rama:
Ky kongres është një moment për të adresuar qartë kush jemi, pse jemi bashkë dhe si duam ta qeverisim Shqipërinë.

Top Channel