Top Show, “mbetjet e qeverisë”

26/10/2011 00:00

Projekt-ligji për importin e mbetjeve, i miratuar nga Kuvendi dhe refuzuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mblodhi në panelin e Top Show ambientalistë e politikanë pro e kundër projekt-ligjit.

Zv/ministri Mjedisit, Taulant Bino mbrojti projekt-ligjin duke thënë se ai lejon importimin vetëm të mbetjeve lëndë e parë dhe jo plehra. Por për deputetin e opozitës, Blendi Klosi projekt-ligji për importimin e mbetjeve është një aferë korruptive që do sjellë plehra në Shqipëri.

Ndërsa ambientalisti Sazan Guri kritikoi gjithashtu projektligjin, vecanërisht nenin 49 të tij, nen ky që lejon importin e mbetjeve dhe që u bë shkas i refuzimit për ta dekretuar Presidenti i Republikës.

Refuzimi i projektligjit nga ana e presidentit Topi, ngjalli debate të forta mes kreut të shtetit dhe mazhorancës. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e quajti presidentin Topi si pjesë, sipas saj, “ e celulës së Shqipërisë anti-europiane”.

Klosi: Referendum për importin e plehrave

 I ftuar në panelin e Top Show të ditës së martë, ishte edhe deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, i cili mbrojti fort tezën që ligji i shumë përfolur duhet të hidhet në referendum popullor. Sipas Klosit ky ligj dhe nenet e vecanta të tij, nuk bën gjë tjetër veçse pasuron arkat e Minstrisë së Mjedisit.  
 
 “Ky ligj nuk bën asgjë dhe nuk ofron asgjë. E vetmja gjë është që  i mundëson Ministrisë së Mjedisit të japë licensat të mbledhë ndonjë lek”, tha deputeti i PS, Blendi Klosi.

 “Nëse bëhet referendum për këtë ligj dhe nëse rezultati i votimit del poshtë 95 përqind kundër, unë jam i gatshëm të dorëzoj mandatin e deputetit”, vazhdoi Klosi.

Edhe pse qëllimi i diskutimit ishte ndotja e mjedisit, shumë e kanë quajtur këtë debat të karakterit politik.

Top Channel