Berisha, garanci Komisionit dhe ODIHR-it

24/10/2011 18:55

Është zbardhur takimi mes kryeministrit Sali Berisha dhe përfaqësuesve të Komisionit dhe Venecias dhe misionit të ODIHR-it.

Mësohet se gjatë takimit kryeministri Berisha siguroi përfaqësuesit evropiane për gatishmërinë e mazhorancës për të filluar sa më shpejt reformën zgjedhore.

“Shpresoj se i njëjti vullnet dhe gatishmëri do të tregohet edhe nga opozita. Ekspertiza e Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it është garanci për arritjen e objektivave”, deklaroi Berisha.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it siguruan kreun e ekzekutivit se do të japin kontributin e tyre për reformën.

Grupi i ekspertëve nga Komisioni i Venecias po zhvillon një vizite dyditore në Shqipëri për të mbledhur shqetësimet dhe sugjerimet e spektrit politik në vend, në lidhje me zgjedhjet e 8 majit dhe përmirësimin e legjislacionit zgjedhor.

Berisha: Reformën, me opozitën

Më herët gjatë ditës, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e tij për t’u ulur në një komision për reformën zgjedhore, ku opozita do të kishte të drejta të barabarta me mazhorancën.

“Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë gjerësisht me OSBE/ODIHR-in dhe Komisionin e Venecias dhe opozita në këtë komision, të ketë të drejtën e vetos, pra sic ka kërkuar edhe vetë në kushte pariteti të plotë”, tha Berisha.

Kryeministri shtoi se është i gatshëm të pranojë të gjitha propozimet e socialistëve, nëse marrin më parë pëlqimin e OSBE/ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias.

“Pse? Sepse jemi te sigurte se komisioni i Venecias dhe ODIHR-i do te mbrojë standardet ndërkombëtare”, tha Berisha.

Kryeministri u shpreh i gatshëm për rishikimin edhe të rregullores së parlamentit, por duke u bazuar mbi rregulloren e Parlamentit Europian.

“Për rregulloren e parlamentit ne jemi të gatshëm menjëherë të nisim punën, bazuar në rregulloren e Parlamentit Europian”, tha Berisha.

Kryeministri tha se kjo ishte oferta e tij për opozitën. Por u shpreh mosbesues, nëse opozita do ta pranojë apo jo. Sipas tij, kryetarit Edi Rama i ka mbetur ora te humbja e bashkisë së Tiranës. “Humbjes do t’i kushtojë një libër”, – tha me ironi kryeministri Berisha.

Top Channel