Arvizu: Debat të shëndetshëm dhe kompromis

24/10/2011 00:00

Duke folur për “Shqipërinë në NATO”, kryetarja e kuvendit Jozefina
Topalli, përshkroi një vend idilik, që këto 20 vitet e fundit ka
ndryshuar më shumë se cdo vend tjetër. Një vend, që i vetëm, po i bën
ballë krizës ekonomike globale.

“Shqipëria është vendi që ka ndryshuar më shumë se cdo vend tjetër në këto 20 vjetët e fundit. Dhe kjo, vetëm për shkak të reformave. Shqipëria vazhdon me rritje të eksporteve, të investimeve të huaja, ndonëse është e rrethuar nga një krizë globale dhe serioze. Dhe kjo është një tjetër dimension i sigurisë si një vend i NATO-s. Në Parlament ne kemi miratuar 400 ligje, që vareshin nga vota e mazhorancës. Por për fat të keq nuk kemi mundur për të kaluar 4 ligje, që kërkonin 3/5 e votave, që nuk vareshin vetëm nga mazhoranca, por edhe nga opozita. Këto të fundit kanë lënë Shqipërinë pa status, megjithatë ne shikojmë përpara”, tha Topalli.

Kryeministri Berisha, që e mori fjalën pas prezantimit plot elozhe që i bëri Leonard Demi, preferoi të përqëndrohet te simbolika e Kartës së Adriatikut: bashkëpunimi mes palëve.

“Kjo nismë grupon vende që deri dje kanë qenë armiq të egër ndaj njëri-tjetrit. Por që kanë vullnetin për të shkruar një kapitull të ri në historinë e paqes, sigurisë, bashkëpunimit ndërmjet tyre”,tha Berisha

Në të njëjtën linjë e mbylli fjalën e tij edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Aleksandër Arvizu.

“Integrimi euroatlantik është një objektiv kombëtar, që kërkon përpjekje dhe sakrifica nga të gjithë popujt. Dhe si i tillë, bie mbi parlamentet. E këtu në Shqipëri, mbi parlamentin shqiptar. Këtu kam ndër mend Kryetaren, zonjën Topalli, si edhe kryetarin e Komisionit të Sigurisë, zotin Demi dhe tjerë, që të ndihmojnë për arritjen e një kompromisi, si edhe vizionin për të siguruar që vendi të ruajë kursin. Debati i shëndetshëm është jetik, por po ashtu është bashkëpunimi dhe kompromisi”, theksoi Arvizu.

Karta e Adriatikut u krijua në maj 2003, si një nismë e Shteteve të Bashkuara për të asistuar Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë për anëtarësimin në NATO. Sot, me anëtarësimin edhe të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi, nisma numëron 5 vende pjesmarrëse.
     

Top Channel