Hapni rrugën! Po kalon Kryetarja e Kuvendit!

23/10/2011 00:00

Para ca ditësh, midis orës 10:00 e 11:00 të paradites, po vija nga Tirana e Re në drejtim të bulevardit, dhe tek Libri Universitar doja të kthehesha djathtas e të merrja për nga Garda e Republikës. Por rrugën ma kish bllokuar një motoçikletë e policisë së qarkullimit rrugor, e vendosur për së gjeri, dhe një polic që urdhëronte të gjitha makinat të ecnin drejt ose majtas. Djathtas jo. Hapa dritaren e krahut të djathtë të makinës dhe kërkova pak konfidencë me policin: “Si është puna? Çfarë ka ndodhur?” Polici ma pranoi konfidencën, por më bëri një shenjë, me anën e së cilës donte të thosh: “S’kam ç’të bëj, nuk është në dorën time, prandaj ecni drejt”.

Mora drejt për nga bulevardi, u ktheva djathtas drejt Korpusit Universitar dhe po vija rrotull për të dalë tek hoteli “Carlsberg”, afër të cilit më duhet të ndaloja. Ngjitur me hotelin është një rrugë që lidh rrugën që kalon para shkollës “Petro Nini” me rrugën që lidh Gardën me Librin Universitar, dhe kalimi me një korsi është njëdrejtimësh, d.m.th mund të kalojnë veç makinat që duan të ikin drejt “Petro Ninit”. Edhe ajo rrugë ish e bllokuar. Nëse doja të futesha në të, nuk do t’më lejonin dy policë që rrinin pranë një makine. U shtyva pak më përpara në kërkim të një vendqëndrimi, pashë dikë që po dilte nga parkimi, ndeza sinjalin e bllokazhit, dhe po prisja disa sekonda të më lirohej vendi. Ndërkohë, ndjeva m’u pranë veshit zhurmën e rëndë të një motoçiklete. Hapa xhamin e dritares së krahut tim, dhe polici që kish shaluar motorin, më tha me ton urdhërues: “Lëviz shpejt”. “Merre shtruar, zotëri! Nuk kam ndërmend të lëviz, pasi do parkoj këtu mbrapa”, i thashë. “Lëviz përpara, të thashë, e sheh që rruga është e bllokuar?”, më tha ai dhe më pa në sy. Hodha sytë mbrapa, prej nga ai priste të vinin sinjale alarmante për të, dhe pashë që po vinte një eskortë shoqëruese. Eskorta po vinte nga rruga e bllokuar, nga ajo pra që lidhte rrugën ku isha unë me rrugën që kalon para shkollës “Petro Nini”. Dhe po vinte në drejtim të kundërt, në dhunim të plotë të ligjit. “Nuk kam ndërmend të lëviz”, përsërita, “duhet të lëvizësh ti, tok me atë që po shoqëron, pasi po bezdisni qytetarët”. Polici i dha gaz motorit dhe iku, por nuk e mora vesh nëse iku ngaqë më mirëkuptoi, apo iku ngaqë s’kish kohë të merrej me mua; në harkun e një a dy sekondave, u dha në të majtën time eskorta, e cila fluturoi në korridorin e hapur të rrugës.

Parkova, dhe pyeta dikë: kush është ky robi me eskortë që sapo kaloi? “Ai robi o Jozefina Topalli”, më erdhi përgjigjja. “Kët avaz bo për dit ajo”. Ja pra si na qenkësh puna! Kryetarja e Kuvendit paska shtëpinë në një nga pallatet e ngritur buzë asaj rrugës njëkalimshme. Dhe kur del nga shtëpia për në zyrë, a për në punët e saj, ajo përton të ndjekë drejtimin e lejuar që e çon në destinacion një a dy minuta më vonë, por bllokon tërë rrugën, dhe ecën në kundërsens. E pse mos ta bëjë? Kush do t’i thotë: mos e bëj? Kush do të protestojë? Por edhe sikur dikush të dalë të protestojë, ajo ka policë e eskortë me vete, të cilët jo vetëm mund të largojnë ndonjë protestues, por edhe mund t’ia hapin rrugën e mund të bllokojnë në funksion të kararit të saj çdo rrugë të mundshme.

Tani, unë e kuptoj, madje edhe jam dakord, që Kryetarja e Kuvendit të ketë një eskortë. Ajo, për shkak të detyrës, mund të jetë e ekspozuar ndaj rreziqeve e kërcënimeve të ndryshme. Është mjedisi i paparashikueshëm shqiptar që më bën të mendoj se do autoritete kanë nevojë për një eskortë. Në vende të tjera, sidozot në Norvegji, Suedi a Danimarkë, autoritetet kanë veç një a dy roje trupi, dhe ecin shpesh mes njerëzve, shkojnë në punë me biçikletë, ndonjëherë dhe me mjete të transportit urban, por hajt po themi se Shqipëria është një vend që fsheh rreziqe për autoritetet (rëndom për shkak të urrejtjes që ekziston për këta të fundit), dhe kështu një eskortë e lehtë është e kuptueshme.

Por po pyes Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, dhe do doja shumë të kisha një përgjigje. E kërkoj një përgjigje si qytetar i këtij vendi, që paguan taksa, me të cilat paguhet edhe Kryetarja e Kuvendit, edhe policët që e shoqërojnë, edhe makinat që e çojnë nga zyra në shtëpi, e anasjelltas. Nuk është e thënë t’më përgjigieni ju vetë, zonja kryetare. Mund të caktoni zëdhënësen t’më japë një përgjigje. Pyetjet pra janë: Pse u dashka që të bllokoni rrugët, zonja kryetare? Pse u dashka të ecni në drejtimin e ndaluar? Në cilin ligj a rregull e bazoni vendimin për të bllokuar rrugët, për të mos respektuar semaforët, e për të ecur në kundërsens?

Mua më duket e rëndë kjo gjë. Ka njerëz që mund të thonë: ç’merresh me çikërrima të tilla! Këtu po bëhen hatara dhe ti shqetësohesh nga bllokimi i një rruge. Jo, s’e pranoj këtë logjikë. Përkundrazi, mendoj se burimi i atyre hatarave qëndron pikërisht tek kjo arrogancë antiligjore e demonstruar nga ana e atyre që janë zgjedhur prej nesh të bëjnë ligje e të kërkojnë zbatimin e ligjeve nga të gjithë. Nga vetja në radhë të parë.

Prandaj, insistoj zonja kryetare të shpjegoheni publikisht për këtë sjellje. E nëse nuk e shihni me vend të më ktheni një përgjigje (unë kam besim se do ta jepni një shpjegim), ju ftoj që t’mos e bëni më këtë që bëni. Është e padrejtë, që ta bëni. Nuk ka asnjë logjikë që ta bëni. Ligji ua ndalon që ta bëni.

Top Channel