“Aleanca e plehut” dhe gjeli majë plehut

23/10/2011 00:00

“Pavarësisht se ç’thotë Aleanca e Plehut, ne do shkojmë përpara me projektin e sjelljes së plehrave nga jashtë”, tha Saliu. I quajti aleancë plehu të gjithë kundërshtarët e atij plehprojekti, edhe Presidentin e Republikës, edhe shoqërinë civile, edhe median, opozitën po e po…

Ndërkohë që Saliu s’e ka problem të flasë për kundërshtarët, siç flasin të gjithë banditët në krye të vendeve pa zgjedhje të lira, pa drejtësi, pa garanci kushtetuese për askënd, pikërisht sepse votat i vjedh, gjyqet i komandon vetë, garancitë i shpërndan si shpërblime për të nënshtruarit e vet… “Jam ambientalist” thotë “po s’jam anti-globalist”, medemek s’është si të gjithë ata që i thonë mos, mos ia bëj peshqesh Shqipërisë plehrat e botës, sepse Shqipëria sot po mbytet nga plehrat e veta. S’është si Presidenti i Republikës, që i thotë refuzoj ta firmos atë ligj plehrash, ku s’ka vend për nenin që lejon importimin e plehrave nga jashtë. S’është as si intelektualët, që i kanë kushtuar njëzet vjet jetë mbrojtjes së ambientit dhe luftojnë sot dëshpërimisht për ta mbrojtur trupin e Shqipërisë nga kafshimet mizore të qeverisë së tij. S’është Saliu as si gazetarët kurajozë, që i kanë treguar popullit shqiptar të vërtetën rrëqethëse të kontrollit të mafies mbi linjat e transportit të plehrave drejt vendesh që s’pastrojnë dot as plehrat e veta…Saliu është ndryshe vërtet, i do plehrat si asnjë shqiptar dhe s’i mjaftojnë tërë ato që ka përreth. Prandaj në vend se të gjejë rrugën për të çliruar Shqipërinë nga plehrat anembanë, i shton kapicës së tyre edhe një kapicë tjetër, potencialisht të tmerrshme, ardhur me viston e tij peshqesh nga jashtë për shqiptarët e mbetur peng mes plehrave. E bën për përfitime mirëfilli të paligjshme që ia garanton barkut të oborrit të pushtetit të vet me këtë plehprojekt… Në vend se të ndalojë shkatërrimin e mjedisit, duke filluar nga Kruja, të cilën askush, askund në botë, po të kishte pasur privilegjin fatlum ta kishte pjesë të historisë së vendit të vet, s’do ta kishte rrjepur për të nxjerrë çimento e gurë apo djegur, për të nxjerrë gëlqere me goma të përflakura makinash, po do e kishte bërë avanskenë të krenarisë kombëtare, Saliu thotë gjithë kaposhllëk “Shqipëria ka uri për çimento!”. Në fakt nuk është Shqipëria që ka uri për çimento, po është barku i oborrit të pushtetit të tij që ka uri për Shqipërinë.

Vendi ynë po e humbet me shpejtësi fuqinë më të madhe që i fali perëndia, bukurinë, dhe bashkë me të edhe pasuritë e çmuara të një natyre të rrallë që po barbarizohet dita–ditës. Kjo nuk është një çështje ambientalizmi global apo antiglobalizmi mjedisor, siç e shtron halldupërisht Saliu…Po ç’mund të jetë Shqipëria nesër po të humbasë përfundimisht mundësinë për të prodhuar ushqime bio në tokën e saj, mundësinë për të ndërtuar një turizëm të bazuar tek spektakli i natyrës e i tavolinës buzë deteve, mes pyjeve a majë maleve, mundësinë për të qenë një bukuri tërheqëse mesdhetare e jo një pazar oriental që mbahet në këmbë me merkantilizëm, me para emigrantësh e me informalitet? Përgjigjja është drithëruese, ashtu siç është drithërues edhe vetëm fakti i thjeshtë, domethënës, kokëfortë, se vetëm lajmi që në këtë vend importohen plehra nga jashtë, do të mjaftojë për të trembur atë pak turizëm real që ka sot Shqipëria.

Kështu që kur Saliu thotë se refuzimi publik për të pranuar importin e plehrave vjen nga reaksionarë antiglobalistë, të cilët duan të pengojnë furinë e zhvillimit tronditës para syve të mbarë botën e hutuar nga sukseset e tij prej vizionari e ambientalisti global, i cili pretendon se e ka kthyer Shqipërinë në fuqinë e dytë ekonomike në Europë e njëkohësisht në një model mjedisor të përbotshëm, ndërkohë që Shqipëria reale po bie, copa e çika, në përtokën e mbushur me plehra, meriton si përgjigje vetëm një shuplakë të madhe popullore. Që jam i bindur se do të kërcasë kudo e fortë siç qe më 8 maj në gjithë Shqipërinë që paguan taksa, por këtë radhë jo vetëm në çdo qytet, po edhe në çdo fshat. Sepse Shqipëria s’mund të mbajë pafundësisht në kurriz një personazh shoqërisht të rrezikshëm e njëkohësisht krejt qesharak, i cili i quan të gjithë ata që s’janë me të “Aleanca e Plehut”, ndërkohë që kapardiset mu si një gjel majë plehut, mbi çatinë në rrënim të Shqipërisë së gërryer themelesh prej dhëmbëve të oborrit të tij.

Top Channel