Turqi, ushtria vret 32 militantë kurdë

22/10/2011 15:40

Forcat ushtarake turke kanë vrarë 32 militantë kurdë gjatë luftimeve në kufi me Irakun, bën të ditur televizioni publik turk.

Militantët u vranë në rajonin e Luginës së Kazanit, në afërsi të provincës së Hakarit, saktëson televizioni TRT, që citon zyrtarë anonimë.

Turqia nisi një ofensivë ushtarake ndaj rebelëve të PKK-së më herët gjatë javës, pasi 26 ushtarë të saj u vranë në afërsi të kufirit me Irakun, humbja më e rëndë e forcave të armatosura turke që prej vitit 1990.

Aktet e fundit të dhunës ndodhën në afërsi të qytetit Kukurca, bën të ditur TRT, ndërkohë që nga ana e rebelëve nuk ka pasur një konfirmim.

53 rebelë janë vrarë gjithësej që nga nisja e operacioneve në Luginën e Kazanit, njoftojnë mediat e tjera turke, në edicionet e tyre online.

Mbi 30 prej tyre janë vrarë të shtunën. Ankaraja zyrtare ka deklaruar se 22 batalione me rreth 10 mijë ushtarë kanë marrë pjesë në operacionet kundër rebelëve.

Në muajt e fundit dhuna mes ushtrisë dhe rebelëve kurdë të PKK-së është rritur ndjeshëm. Guerrilasit kërkojnë më shumë autonomi në zonën jug-lindore të Turqisë, e dominuar nga shumicë kurde.

Dhjetra mijëra persona kanë vdekur në konfliktin mes dy palëve që prej vitit 1984. Të premten, Turqia dhe Irani bënë thirrje për bashkëpunim për të mbposhtur separatistët kurdë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA