Berisha përuron rrugën e Labinotit

21/10/2011 19:50

Kryeministri Sali Berisha u ngjit deri në zonën e Labinotit, një komunë e thellë por piktoreske, në qarkun e Elbasanit, ku është inauguruar rruga me gjatësi 8 kilometra dhe u vjen në ndihmë banorëve të 5 komunave përreth.

Kryeministri Berisha e sheh këtë rrugë si një mundësi të re që banorët mund dhe duhet ta shfrytëzojnë për përmirësimin e jetës së tyre.

Madje, rruga e re sipas kryeministrit, është një mundësi edhe për zhvillimin e turizmit malor, një projekt që ai e ka prioritet të qeverisë së tij dhe për të cilin do të ketë së shpejti edhe lehtësi fiskale.

“Të gjithë ata që do të investojnë në zonat turistike malore do të përjashtohen nga taksat për tetë vjet. Por nga ana tjetër, ju bëj thirrje të shumëfishojmë drurët frutorë. Aty ku janë ferra le të ngremë ne gardhin e lajthive ose të hardhive. Në çdo vend, në çdo pëllëmbë tokë le të shohim si mund të përfitojmë prej saj. Unë e kuptoj që ju keni pasur vështirësi tregu, por tani me rrugën dhe tunelin e Elbasanit ju bëheni pjesë e tregut të Tiranës”, deklaroi Berisha.

Duke klasifikuar ndërtimin e kësaj rruge tek premtimet e realizuara, kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e kompletimit të infrastrukturës në të gjithë vendin, pavarësisht se, sipas tij, kreu i opozitës Edi Rama vazhdon të ngrihet kundër veprave të mëdha publike dhe zhvillimit të vendit, njësoj si paraardhesit e regjimit komunist.

“Ndaj dhe le t’i themi shokut, i cili është ngritur tani e po shkruan vepra. Së shpejti do të botojë letrën e hapur për Enver Hoxhën ku i thotë se, “Shqipërinë e bllokova për t’u anëtarësuar në Evropë”. Por ne do të vazhdojmë rrugën që kemi zgjedhur bashkë me ju, rrugën e ndërtimit të një Shqipërie moderne, rrugën në të cilën ne do të realizojmë ëndrrat dhe të ardhmen tonë që meritojmë”, u shpreh Berisha.

Top Channel