Topi: Vizion i ri në politikë

20/10/2011 00:00

Duke iu drejtuar të diplomuarve të rinj të shkollës politike të
Këshillit të Europës, Presidenti i Republikës Bamir Topi foli për
nevojën e një vizioni të ri në politikën shqiptare.

“Shoqëria jonë më shumë se kurrë ka nevojë për një vizion të ri politik. Nuk e kam fjalën këtu për asnjë lloj aludimi, për asnjë grup, për asnjë person, vizioni im politik është pikërisht ai që sot jepet si një leksion nga vende që kanë një demokraci të zhvilluar, atë vizion që në momente të caktuara politika jonë nuk e ka shprehur”, tha Topi.

Presidenti tha se në një shoqëri demokratike secili vjen i lirë dhe jo si produkt i klonuar i dikujt tjetër. Ai shprehu keqardhje për ata të rinj, që transformohen pasi angazhohen në politikë.

“Njerëz të rinj në moshë, që nuk kanë pasur asnjë lidhje me politikën konfliktuale, sot janë të butë, kanë një profil shumë civil dhe në debatet e para televizive që futen nga partitë politike, tjetërsohen”, tha Topi.  

Presidenti vuri në dukje se Shqipërisë iu refuzua për herë të dytë statusi i vendit kandidat për në Bashkimin europian, pikërisht për shkak të krizës politike. Sipas tij, në ato pak rreshta të certifikatës së shkollës, ka shumë elementë për një politikë konstruktive:

“Ka shumë elementë sesi respektohet shteti, si respektohet institucioni, si rspektohet etika e komunikimit, dhe sa të ndërgjegjshëm janë ata që merren me politikë dhe në jetën institucionale në shërbim të shoqërisë që i ka votuar dhe të cilës ata i duhet t’i shërbejnë”, tha presidenti.

Më pas, Presidenti u shpërndau të diplomuarve certifikatat, ceremoni e shndërruar në traditë që prej vjetësh.

Top Channel