Ilir Yzeiri  – Dje ishte ditë pushimi, sepse shqiptarët nderuan Ditën e Lumturimit të Nënë Terezës.
Nuk u organizua asnjë veprimtari e veçantë dhe për çudi asnjë shtetar i
lartë nuk gjeti rastin të dilte në publik e të thoshte dy fjalë për
Shenjtoren e madhe, për shqiptaren e vetme që ka marrë një prej çmimeve
më të larta, atë të Nobelit për paqe.

Në fakt, bën mirë që nuk dolën, sepse në një ditë të tillë ata do të duhet të turpëroheshin, të ulnin kokën dhe të kërkonin ndjesë për mashtrimin që i kanë bërë Nënë Terezës. Pse? Po ua tregoj më poshtë. Miqtë e mi dhe të njohur të ndryshëm, që më kanë parë herë pas here në dyert e gjykatës në kronikat e lajmeve të “Top Channel”-it, më kanë pyetur se përse ndodhem aty. Më është dashur t’u shpjegoj se prej një viti e gjysmë jam në gjyq për shkak të Nënë Terezës.  Në vitin 2010, në kuadër të programit investigativ “Hapur” që financohej nga IREX (Uashington-Paris), pata realizuar dy reportazhe  investigative me titull “Pse nuk u mbajt amaneti i Nënë Terezës” dhe “Universiteti që zapton trojet”. Në ato reportazhe tregoja me fakte se në vitin 1992 Nënë Tereza kishte shfaqur dëshirën që të ngrihej një spital me emrin e saj. Ky spital do të ishte në ndihmë të shtresave në nevojë dhe me shumë shërbime. Ashtu u bë. U nënshkrua një Marrëveshje mes qeverisë shqiptare që u firmos nga Tritan Shehu, në atë kohë ministër i Shëndetësisë dhe nga Imzot Rrok Mirdita, përfaqësues i Kishës Katolike. Qeveria shqiptare e ndërpreu projektin e nisur nga Konti Ferra dhe, pasi i ktheu atij shpenzimet e kryera deri në atë kohë, ia mori ndërtesën që kishte filluar të ndërtonte si spital prapa pallatit të Sportit në Tiranë dhe e vuri në dispozicion të ndërtimit të spitalit që do të mbante emrin e Nënë Terezës. Marrëveshja u bë ligj prej Parlamentit Shqiptar dhe u dekretua nga ish-presidenti Meidani. Qeveria shqiptare i dha, gjithashtu, 100 mijë metra katrorë tokë Fondacionit që do të ndërtonte spitalin. Kisha Katolike në Tiranë ngarkoi fondacionin “Zoja e Këshillit të mirë” për ndërtimin e spitalit. Fondacioni ia ngarkoi më tej kongregacionit “Bijtë e Zojës së Papërlyeme” këtë mision. Ndërkohë, sidomos pas Lumturimit që i bëri Papa Gjon Pali II Nënë Terezës, në vitin 2003, fill pas kësaj ngjarjeje nisi një fushatë e madhe në Itali e në Shqipëri për të mbledhur fonde për të realizuar amanetin e Nënë Terezës. Mjaft të kujtoj këtu koncertin e Ana Oxës në shoqërinë e ish-presidentit Meidani në ambientet e truallit ku do të ndërtohej spitali dhe lidhjet direkte me Romën. Po ashtu, Kooperacioni italian i Zhvillimit dhuroi rreth 20 milionë euro. Mirëpo, nga viti 1992 e deri më sot kanë kaluar mbi 19 vjet dhe spitali nuk është ndërtuar. Në vend të tij është ndërtuar një universitet privat që quhet “Universiteti Zoja e Këshillit të Mirë”. Protorektor (zëvendës) i këtij universiteti, është Tritan Shehu. Pra, politikani, shtetari që firmosi marrëveshjen për ndërtimin e kësaj vepre, sot është drejtues në universitetin që është ndërtuar në tokën ku do të duhej të ndërtohej edhe spitali i Nënë Terezës. Gjithë këto fakte, por dhe të tjera si këto, unë i pata treguar në reportazhet e mia. Përveç kësaj, në reportazhin e dytë pata treguar me fakte se toka që ka marrë nga qeveria universiteti “Zoja e Këshillit të Mirë”, një pjesë e saj i përket familjes së Sali Allës. Familjarët e Allës, pasi panë reportazhin e parë, erdhën në redaksinë e programit tonë dhe denoncuan zaptimin e tokës prej universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”, zaptim që është bërë me vendime qeverie. Pas këtyre dy reportazheve, nuk ka pasur asnjë reagim. Unë nuk pres që të reagojë Sali Berisha. Fyerja dhe poshtërimi që i është bërë amanetit të Nënë Terezës, nuk përbën problem, natyrisht, as për Jozefina Topallin, megjithëse do të kisha dashur shumë që të paktën ajo, për njëmijë e një arsye, të kishte pyetur se përse u shkel amaneti i Nënë Terezës, përse nuk u ndërtua spitali me emrin e saj? Ndërkaq, gjatë gjithë këtyre kohëve kam mbetur i shtangur dhe nuk kam ditur të përgjigjem kur më kanë pyetur se përse nuk reagon opozita. Si ka mundësi që lideri i saj, Edi Rama, nuk ka ngritur zërin qoftë edhe një herë të vetme. Unë nuk dua të besoj te teoritë konspirative se pas kësaj afere fshihen interesa të caktuara që nuk duhet të preken. Mirëpo nuk arrij të kuptoj se përse duhet të heshtim kur kemi shkelur amanetin e Nënë Terezës? Por le të kthehemi te historia ime. Pas kësaj, pra pas shfaqjes së reportazheve, fondacioni “Zoja e Këshillit të Mirë” më padit në gjykatë për shpifje e prishje të imazhit dhe më kërkon si dëmshpërblim 100 milionë lekë të vjetra. Akuzat që më bëjnë, janë këto. Më thonë se i kam fyer, sepse në faqen WEB të programit “Hapur” titulli i reportazhit është “Bijtë e përlyem të Zojës së papërlyeme”. Më thonë, gjithashtu, se nuk them të vërtetën kur flas për investime në shuma të mëdha dhe më akuzojnë se u kam prishur imazhin kur u kam thënë “zaptues trojesh”. Gjykimi kalon nëpër disa peripeci. Jep dorëheqjen gjyqtarja e parë, e pushon çështjen gjyqtari i dytë dhe gjyqi rinis përsëri. Ndërsa unë, bashkë me gazetarin e mirënjohur, Andrea Stefani, kryetarin e Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, dhe të mbështetur, sidomos, nga kolegët e informacionit në “Top Channel”, Mentor Kikia dhe Anila Hoxha, kemi rreth dy vjet që vërtitemi nëpër dyert e Gjykatës së Tiranës. Pse? Sepse unë guxova dhe pyeta përse nuk u ndërtua spitali i Nënë Terezës? Përse nuk u mbajt amaneti i Nënë Terezës? Gjyqi vazhdon dhe unë i shtohem listës së gazetarëve që vërtiten dyerve të gjykatës. Natyrisht, edhe gazetari duhet të gjykohet, por jo për shkak të profesionit. Do të doja t’i rikujtoja Ambasadorit të nderuar të Bashkimit Europian, zotit Sekui, se mosmbajtja e amanetit të Nënë Terezës ka ndodhur qysh në kohën kur zoti Sekui punonte në Ambasadën Italiane në Tiranë. Kjo seli e nderuar e shtetit mik italian ka përgjegjësinë të shprehet se ku shkuan paratë e taksapaguesve italianë dhe përse nuk u mbajt Amaneti i Nënë Terezës. Në fund dua t’ju them të gjithëve se kjo aferë nuk mbyllet me kaq. Universiteti i ndërtuar aty është promovuar si një investim i Kishës Katolike. Në përurimin e tij patën marrë pjesë Fatos Nano, Alfred Moisiu e shtetarë të lartë italianë. Universiteti, në fakt, funksionon si të gjitha universitetet private dhe lehtësitë që iu bënë atij, nuk justifikohen. Lexuesit duhet ta dinë se shteti shqiptar i ka falur fondacionit “Zoja e Këshillit të Mirë” 100 mijë metra katrorë tokë. Them i ka falur sepse kjo tokë është blerë me çmimin 0.01 lekë/ m2. Për 100 000 metra katrorë janë paguar përafërsisht 1000 euro. Edhe njëherë, 100 mijë metra katrorë tokë në ish-Fushën e Aviacionit dhe prapa Pallatit të Sportit i janë shitur këtij fondacioni përreth 1000 euro. Pyetja ime është e thjeshtë. Kjo tokë i është “shitur” për të ndërtuar spitalin “Nënë Tereza” apo për të ndërtuar një Universitet privat? Për këtë arsye unë do të jem përsëri në gjykatë më datën 24 tetor dhe, nëse do të më shihni në kronikat televizive, të dashur miq, jam për arsyen që ju thashë.

Dje askush nuk tha dy fjalë për shenjtërimin e “Nënë Terezës”. Sikur të kishte ndodhur që të kishte folur dikush, ai mua të paktën do të më kishte shkaktuar atë gjendjen e njeriut kur e zë makina dhe është gati të vjellë. Dhe, pas kësaj, unë si shumë po përsërit ndoshta për të një miliontën herë se ky vend nuk bëhet. Këtë radhë kam një arsye më shumë ta them me zë të lartë këtë pështjellim. Këtë radhë të gjithë ata që shkelën amanetin e Nënë Terezës mua më ngjajnë si ata barbarët që jetën e tyre nuk e kanë të varur nga misteri i dhimsurisë, misterit dhe i mirënjohjes. Ata që kanë guxuar të poshtërojnë kujtimin e Nënë Terezës nuk e di se ç’mund t’i bëjnë tjetër këtij populli…

Gazeta “Shqip”

Top Channel