I kërkuar në interpelancë nga opozita, Ministri Naço tregoi një sërë urdhërash që ai ka dhënë për të disiplinuar situatën në Bulqizë, mes të cilëve edhe urdhërin për mbylljen totale të minierës, deri në riparimin e plotë.

”Që në datën 3 qershor 2011, me urdhër numër 413, kam urdhëruar kontrollin e realizimit e marrëveshjes me kompaninë “Darfo-Albania.shpk”. Në datën 10 gusht 2011, kam urdhëruar për ndërprerjen e punimeve në minierën e kromit në Bulqizë dhe marrjen e masave për riparimin e saj. Urdhëri është i qartë, i prerë, që të mos ulet helikopteri dhe ju të mos të përfitoni kredo politike. Në datën 29 shtator kam kërkuar që të shlyeheshin detyrimet, është e bardhë mbi të zezë. Unë nuk e di se çfarë kërkoni tjetër, por në datën dhjetë gusht, me urdhërin tim, miniera e Bulqizës ka qenë e bllokuar”, u shpreh Naço,

Një ditë më parë, nga një aksident në tunelet e minierës së dhënë me koncension tek “ACR”, humbi jetën një minator dhe u plagosën tetë të tjerë. Ministri Naço tha në Kuvend se përgjegjësia nuk është e tija.

”Këtu, shyqyr Zotit, ka edhe juristë shumë të mirë në këtë sallë, që e dinë që përgjegjësia është e atyre që duhet ta zbatonin këtë urdhër dhe jo e imja”, theksoi Ministri.

Analizë, a është me të vërtetë e pafajshme Ministria?

Me ligj, vetë institucionet që duhet të mbikqyrnin mbylljen e minierës janë entet shtetërore të varuara nga vetë Ministria e Ekonomisë dhe Ministrit Naço, më saktë reparti i inspektim-shpëtimit të minierave.

Kompania private është vetëm operator në minierë, pavarësisht kontratës konçensionare. Pronari mbetet sërish shteti nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë, e cila ka për detyrë ligjore të sigurojë zbatimin e kontratës konçensionare, dëmtimin apo shpërdorimin e minierave.

Këtë pozicion, Ministria e morri qartë dy muaj më parë, kur paditi minatorët e future në grevë, nën argumentin se po dëmtonin pasurinë publike, pra minierën. Dhe ishte pikërisht pas kësaj padie që gjykata urdhëroi nxjerrjen e punonjësve nga galeritë, me argumentimin se po dëmtonin interesin publik.

Nxjerrja e urdhërave në letër nuk e përjashton Ministrinë e Ekonomisë dhe strukturat në varësi të saj, nga përgjegjësia për atë që ndodhi në minierë, pasi është pikërisht Ministria ajo që duhet të sigurohet edhe për zbatimin e urdhërave.

Top Channel