Në Shqipëri, “procesi sapo ka nisur”

19/10/2011 21:00

Pas miratimit të rezolutës për zgjedhjet e 8 majit, reporterët e Këshillit të Europës që vëzhguan zgjedhjet e 8 majit, deklaruan për Top Channel, se diferenca me 10 e me pas me 60 vota sic ndodhi në Tiranë, nuk të krijon besim për një proces realisht të ndershëm. Për ta, procesi që duket i mbyllur, sapo ka filluar.

“Pas mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, procesi jo vetëm që nuk ka mbaruar, por ai sapo ka nisur. Ne mund të bëjmë dicka me Kongresin dhe njësitë tona të tjera, por natyrisht që më shumë duhet bërë nga autoritetet shqiptare dhe forcat politike atje. Më lejoni të nënvizoj se është e rëndësishme që ata të bisedojnë së bashku dhe të përpiqen që të gjejnë një rrugëdalje, vecanërisht mbi përmirësimin e procesit zgjedhor. Një pikë tjetër që dua të nënvizoj është procesi i numërimit, i cili mendoj se zgjati shumë dhe kjo rriti tensionet, sidomos në Tiranë”, ka deklaruar dr. Volkram Gebel, raportues për zgjedhjet në Shqipëri pranë Kongresit.

“Shumica e votueseve u sollën mirë dhe bënë gjënë e duhur. Pjesa më e vështirë ishte numërimi, sidomos në Tiranë, e kjo për shkak të tensioneve mes së majtës dhe partisë në pushtet në Shqipëri, ku ne e pamë se më së miri, ishte keq në Tiranë”, ka thënë pas tij Amy Koopmanschap, kryetare e ekipit të vëzhguesve në Tiranë.

“Kjo metoda e vendosjes së të gjitha votave në ekran dhe centralizimi i numërimit e bënë procesin më të gjatë. Mendoj se në shumicën e vendeve europiane ekziston një delegacion i autoriteteve lokale, të cilët sjellin rezultatet në komisionin qendror dhe kjo mendoj se e shkurton ndjeshëm procesin”, ka thënë sërish Gebel.

“Mënyra sesi njerëzit që punonin gjatë gjithë vitit së bashku, e që në ato ditë ishte e pamundur për ta që të punonin bashkë, më bëri përshtypje. Pra, ishin në qendra votimi, e më pas, kur niste numërimi, nuk kishte më besim mes njëri-tjetrit dhe kjo e bënte shumë më të vështirë gjetjen e një zgjidhjeje për të numëruar e për të mos marrë gjithë atë kohë me bllokimin e procedurës e bllokimin e numërimit”, është shprehur më pas Koopmanschap.

Sipas dr. Gebel, rregullat e procesit zgjedhor duhen përmirësuar dhe Kongresi, pas dërgimit të misionit vëzhgues, mund të japë disa rekomandime.

“Një pikë është disi më e vecantë për mua.  Kur ju hasni probleme, e ju hasni gjithmonë probleme me proceset zgjedhore, duhet që anëtarët lokalë, por dhe ata të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të jenë shumë më të pavarur e të mos varen kaq nga fjalët dhe direktivat e partive”, ka nënvizuar ai.

Në të njëjtën linjë ka vijuar edhe Amy Koopmanschap. “Mendoj se në Shqipëri është tejet e vështirë për të mos qenë palë me njërin krah apo tjetrin, qoftë të majtën apo të djathtën. Do të ishte më mirë nëse njerëzit do të ishin të pavarur, jo kaq pranë partive, në mënyrë që të merrnin përsipër përgjegjësinë për të numëruar, për të marrë përgjegjësi ndaj procesit të votimit, numërimit dhe sjelljen e mëtejshme të demokracisë”, ka thënë ajo.

“Rezultatet e afërta nuk japin besim tek njerëzit. Në fillim rezultati ishte me 10 vota diferencë dhe më pas më duket se ishte dicka rreth 60 vota diferencë, por kjo nuk të krijon besimin për një proces realisht të ndershëm ligjor. Kur ekziston besimi, 60 apo 10 mund të rezultojnë ndryshe. Por, në mungesë të besimit mes politikanëve, apo mes njerëzve, është shumë e vështirë që të merret ky rezultat si rezultati i dhënë nga votuesit në Shqipëri. Cdo herë do mendosh nëse shkoi mirë, a ishte rezultat i ndershëm, e tek kjo pyetje nuk mund të japësh vërtet një përgjigje”, ka nënvizuar kryetarja e ekipit të vëzhguesve në Tiranë.

“Sigurisht, ne dhamë disa rekomandime e ju e patë mbështetjen e shumicës dërrmuese, pothuajse të gjithë e votuan. Por, së pari ky është problem i vetë qytetarëve shqiptarë. Ju duhet të shkoni drejt një dialogu konstruktiv mes partive. Nga jashtë, ne mund t’ju japim vetëm rekomandime, por ju mund ta përmirësoni vetë procesin”, ka deklaruar Gebel.

Pyetjes se, si e vlerësoni faktin që nuk pati anëtarë të Shqipërisë brenda në sallë gjatë debatit, ai i është përgjigjur: “Është pyetje e vështirë dhe nuk dua të komentoj sepse unë jam gjerman dhe ky është problemi i shqiptarëve”.

Me 87 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim, Kongresi i autoriteteve Lokale dhe Rajonale në Këshillin e Evropës miratoi rezolutën mbi zgjedhjet e 8 Majit në Shqipëri, ndërkohë që rekomandimet siguruan 88 vota pro dhe 2 abstenime.

Intervistoi: Arta Tozaj

Top Channel