Tirana e humbur përgjithmonë

10/10/2011 20:20

Nuk duket e largët dita, kur Shqipëria nuk do të ketë më asnjë gjurmë nga historia e lashtë e saj. Kudo babëzia po rrënon, masakron e fshin gjithçka pa asnjë mëshirë, duke  kthyer monumentet e kulturës e të natyres diku nëe pallate apo restorante, gurore apo gropa gëlqereje.

Kjo valë shkatërrimtare, tematika e reportazhit “Shqipëria Tjetër”, pas edicionit të lajmeve çdo të hënë, nuk ka kursyer as rrethinat e Tiranes, që fshehin nën petkun e tyre pasuri të mëdha të trashëgimise sonë kombëtare.

Kanë mbajtur shekuj e shekuj mbi shpinë, duke u kthyer në simbole të kohëve të largeta ku fshihen themelet e një kombi. Kryet ngritur mes ngjarjeve të mëdha e të vogla që pasonin njera-tjetren, stuhitë natyrore e njerëzore, në kohë paqeje e lufte, ato mbijetuan.

Mbijetuan për të folur përmes trupit të tyre, përmes legjendave të shkrira ndër gurët e gdhendur. Mbijetuan deri sot, për t’u përballur me harresën që po u rrjep nga trupi jo copëza të pavlera, por pjesë domethënëse të historisë, të identitetit.

Edhe pse njihet si qytet diku në shekullin e 17, Tirana i ka fillesat e historisë së saj shumë më herët, qe prej antikitetit. Një ndër provat është kalaja e Dajtit, e cila siç pohojnë arkeologët ka lindur diku në shekullin e 6 dhe kategorizohet si vendbanim i lashtë. E shpallur monument kulture i kategorisë së parë që prej vitit 1963, kalaja sot ka pak ose aspak për të ofruar.

Kalaja e Dajtit, të paktën në letër shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 10 hektarësh, por përtej kesaj, ajo shfaqet me një imazh krejt tjetër, të mbytur mes ferrave e pyllit të dendur, çka e bën thuajse të padukshme, për një sy jo shumë të vëmendshëm.

Zhgënjimi që të ofron kalaja e harruar mes bimësise së shkalafitur, mpleksur me rrugën e rrjepur nga asfalti dhe gropat e pafundme e bëjnë të vështirë rikthimin.

Të flasësh për turizëm është mëse e tepërt. Nga Dajti në Pëllumbas, atje ku fshihet një ndër 6 shpellat karstike më të njohura në Europë.

10 mijë vjet më parë, paraardhësit tanë qëndronin në këtë shpellë në të cilën janë gjetur gjurmë të kohës së neolitit, eneolitit, deri tek periudha e bronxit e hekurit. Shpella e Pëllumbasit, ndryshe e njohur si « Shpella e zezë », konsiderohet nga studiuesit e shumtë si një ndër qendrat arkeologjike me më shumë vlerë në vendin tonë. Mes stalaktiteve e stalagmiteve shpella hyn thellë në brendësine e malit, ku ndodhen edhe degëzime të tjera më të vogla.

Ashtu siç ndodh shpesh në Shqipëri, është e veshtirë të gjesh diçka me vlera të tilla pa u përplasur në të njëjten kohë edhe me antivleren e saj.

Nga njëri krah i malit qëndron ky monument i jashtëzakonshem, ndërsa pas tij ngrihen guroret-grykësitë moderne,  tipike shqiptare. Shpërthime, gërmime, e makina të tonazhit të rëndë që ikin e vijnë mbushur me gurë.

E vështirë të mendosh se dikush ka parashikuar apo projektuar që goditjet e malit të mos japin në nje moment të caktuar edhe dëmtime në shpellën e Pëllumbasit, duke bërë kështu pre e barbarisë, vlerat e saj.

Një realitet me dy fytyra, ndoshta simboli tipik i funksionimit të gjithçkaje në Shqipëri, mes kaosit, shkatërrimit, e babëzisë për të fituar shumë dhe në pak kohë, duke mos u ndalur përballë asgjëje, pa llogaritur kosto e dëme që mund të mos rikuperohen më kurrë.

Lëmë pas Pëllumbasin, kthyer në një Kandahar të vërtetë për të udhëtuar drejt Brarit, vetëm pak kilometra nga kryeqyteti. Nga shkatërrimi në përçudnim, nga shpella e rrezikuar tek ura e Brarit, monument kulture që prej 1948-s, sot i mbuluar nga plehrat e braktisja.

E ndërtuar në mesjetën e vonë, ura e Brarit është bërë pre e të marrëve që ende mendojnë se mes këtyre monumentëve mund të jenë fshehur qypa të mbushur me florinj.

Dhjetëra metra më tej, një tjetër monument kulture i kategorisë së parë, shtëpia 350-vjeçare e familjes Meta. E rikonstruktuar për herë të fundit në vitet 80, në pjesën më të madhe sot ajo është shembur duke humbur një pjesë të vlerave të saj.

Strukturat përkatëse shtetërore kanë bërë veshin e shurdhët duke e lënë këtë monument të rrenohet, të shkatërrohet, e të shkojë drejt zhdukjes si i tillë.

Kalaja e Dajtit, shpella e Pëllumbasit, ura e shtëpia e Brarit, por edhe shkallët e Tujanit, kalaja e Dorzit , shtrati i Erzenit: Monumentet  kulturore e natyrore të Tiranës që sot ka pak ose aspak se me çfarë të mburret, po rrënohen çdo ditë pa asnjë mëshirë.

Gjithçka po rripet, po shkulet, po rrëmbehet, duke i dhënë fund gjurmëve të historisë, gjurmëve të Tiranës së dikurshme, asaj Tirane që sot ka humbur mes ndërtimeve e betonit të kudondodhur. Tiranës që nesër rrezikon të zgjohet pa patur me asnjë të shkuar.

Top Channel