Korrupsioni jo si perceptim, por si realitet që po vret

09/10/2011 00:00

Zamira Çavo – Në vendin tonë, korrupsioni duket tashmë një dukuri e zakonshme që ka kapur majat e qeverisjes. Madje kur them i zakonshëm, mbështes plotësisht ata njerëz që mendojnë se klima e pandëshkueshmërisë ligjore e ka shndërruar indiferentizmin e grupeve sociale, në një burim mbështetës ndaj korrupsionit. Ka dhe opinionistë që e konsiderojnë korrupsionin më shumë si perceptim kolektiv, të injektuar nga media, sesa si realitet. Madje, ndonjë shkon edhe më tej duke e pranuar korrupsionin vetëm në nivelet e ulëta!! Për të qenë e qartë që në fillim po them se në të gjithë botën korrupsioni politik nuk ka tregues matjeje. Ai bazohet pikërisht në perceptimet publike, sepse si korrupsion ai barazohet me atë shtetëror dhe mbi të gjitha fshihet(kamuflohet) nën emra kolektivë(politika).

Korrupsioni politik ka dy anë që përbëjnë një medalje. Ai nuk është gjë tjetër përveçse metoda me të cilën pushtetarët abuzojnë për të nxjerrë përfitime personale që mund të jenë morale, por edhe politike, që do të thotë të sigurojnë sa më shumë jetëgjatësi në postin e tyre. Pra është ajo metodë që “përdoret” për të larguar ca njerëz nga puna, për të futur në punë disa të tjerë, për të anuluar një tender dhe për të shpallur fitues një tjetër, për të dhënë disa leje ndërtimi dhe për të mohuar disa të tjera, për të shpallur një fajtor apo për të mosdënuar dikë tjetër, një gjobë e pavënë dhe një gjysmëgjobë e marrë nën dorë…Të mos flasim më tej për marrje prone, apo favorizim biznesesh private. Me pak fjalë është ajo metodë që përdoret rëndom nga pushtetarët që kanë në dorë mundësi të tilla.

Politologjia na tregon se si pushtetarët, për të siguruar biznese private, favorizojnë individë apo kompani që lidhen me ta. Nuk është fare çudi që tenderët e një x ministrie i fiton kompania e djalit të dajës së ministrit, apo kur x ministër jep licenca për hidrocentralet e kushërinjve e miqve të tij personalë. Në të gjitha këto raste, nuk kemi të bëjmë me çështje “perceptimi”, por me realitete të përditshme që gjenden kudo. Natyrisht që, mes realiteteve të ndryshme, mund të ketë dhe ndonjë abuzim, por që nisur nga realiteti ekzistues pranohet si i mirëqenë.

Ana tjetër e korrupsionit politik, ka të bëjë me përdorimin e burimeve publike (pasurive), me qëllim ruajtjen me çdo kusht të pushtetit. Kjo do të thotë se pushtetmbajtësit, e bëjnë “rrush e kumbulla” pasurinë kombëtare, mjafton që pozitat e tyre në pushtet të jenë të forta. Ata shesin çdo gjë( deri në mbarim) burime natyrore minerare, ujore, drusore etj., etj. Këtë na e mëson shkenca e politikës. Por le të vijmë në kushtet e vendit tonë. Nuk besoj se ka njeri që mund ta mohojë tragjedinë që po ndodh me minierat tona, me hidrocentralet, me lëndën drusore, me tokat në bregdet… Dhe nuk është fare çudi që pas këtyre skandaleve qëndrojnë “individë” apo kompani që kanë influenca ndaj qeverive të tyre. Në këtë mënyrë pushtetmbajtësit tanë sigurojnë “mbështetjen ndërkombëtare” dhe na e paraqesin si arsyen e “integrimit dhe zhvillimit transparent”! Sa për ligjet, ato mund të shkelen me të dyja këmbët mjafton që institucionet që dalin në mbrojtje të tyre të injorohen ose të paralizohen. Në këtë mënyrë, korrupsioni politik shndërrohet në një rreth vicioz,  i cili riciklon vetveten në mënyrë periodike. Sigurohen fitime materiale(dhe monetare sigurisht) sigurohet meshtja politike ( me militantë apo miq “ndërkombëtarë) dhe rritet mundësia e jetëgjatësisë në pushtet.

Por cilat janë pasojat e një sjelljeje të tillë të pushtetmbajtësve? Sërish na vjen në ndihmë politologjia. Një ndër politologët e njohur të kësaj fushe, Inge Amundsen, thotë se sjellja korruptive e pushtetmbajtësve çon drejt politikave autoritare dhe mbi të gjitha drejt politikave që asgjësojnë vullnetin politik dhe e shndërrojnë politikën në biznes fitimprurës. Në kushtet tona kushdo ka të drejtë të pohojë se futja në politikë sot është kthyer në qëllimin e vetëm: përfitim individual maksimal. Por, ajo që më duket edhe më serioze, e që ka të bëjë me fatet e ardhshme të vendit, mendoj se lidhet me brezin e ri. Kam ndeshur mjaftueshëm të rinj që kërkojnë të hyjnë në parti politike vetëm se duan një “post” publik që të nxjerrin përfitime sa më të mëdha. Koncepti “dua një punë shteti, ku të nxjerr para” po shndërrohet në moto të të rinjve. Dhe kjo është e keqja më e madhe që i bën politika aktuale këtij vendi. Në vend që të rinjtë të ishin aktivë kundër korrupsionit dhe sjelljeve të tilla të pushtetmbajtësve tanë, ata janë bërë apatikë, ndaj ndryshimeve pozitive, pasi e shikojnë politikën si mjetin ku vetëm përfitohet personalisht. Ka parti politike, që ndjekin këtë vijë sjelljeje me të rinjtë: Ejani te ne, votoni për ne dhe ne do ju bëjmë “drejtorë drejtorish, kryetarë tenderësh, drejtorë policie etj., etj. Dhe kështu po ndodh.

Ja pse nuk jam dakord me mendimin se, korrupsioni politik te ne është çështje perceptimi, më shumë se realiteti. Ky korrupsion jo vetëm që ekziston në nivele alarmante, por bëhet edhe më alarmant kur shikon pasoja në shitjen e pasurive publike dhe shpërdorimin barbar të tyre, por edhe në zhvlerësimin e kapitalit human dhe të ardhmes së vendit.

Prandaj mendoj se media, (ajo që ruan sadopak vlerat e saj profesionale) të bëhet zëdhënësja më e madhe e ruajtjes së pasurive publike, të ruajtjes së të ardhmes sonë dhe të fëmijëve tanë. Nëpërmjet saj, opinioni publik do të zgjohet për të parë qartazi ku po na çon politika e ditës.

Top Channel