Përcillet arkitekti Enver Faja

06/10/2011 18:00

U zhvilluan homazhet e lamtumirës në Galerinë Kombëtare të Arteve pas ndarjen nga jeta në moshën 77-vjeçare të gjeniut të arkitekturës dhe urbanistikës shqiptare Enver Faja.

Në karrierën e gjatë dhe të suksesshme mbi 50-vjeçare ai qe autori i shumë prej objekteve më të njohura si ndërtesa e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Muzeu Historik kombëtar si dhe masterplani i Qytetit Studenti.

Enver Faja ka patur edhe një karrierë diplomatike: ai shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Poloni gjatë viteve 1992-1996.

“Faja është një nga figurat kryesore të arkitekturës shqiptare. Kur të studiohet vepra e tij nga brezat e ardhshëm do të ketë shumë për të mësuar”, thekson Artan Shkreli, kryetari i Shoqatës së Arkitektëve.

Mes të pranishmëve që erdhën për të bërë nderimet e tyre ndodheshin edhe figura të njohura politike.

“Faja u nda nga jeta, por vepra të shkëlqyera që përfaqësojnë dhe përjetësojnë atë me dinjitet të madh do të mbeten në memorien e miqve dhe qytetarëve të Tiranës”, u shpreh kryeministri Sali Berisha.

Enver Faja do të kujtohet si njeriu që i dha Tiranës disa nga veprat më të çmuara.

Top Channel