“Qeveria s’kontrollon evazionin”

04/10/2011 00:00

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Robert Ceku i tërheq vëmendjen qeverisë se nuk po arrin të vërë nën kontroll evazionin masiv në tregun e punës.

”Nga verifikimet e bëra nga institucioni, rezulton se në shkallë vendi, një numër subjektesh të biznesit të madh deklarojnë dhe paguajnë kontribute për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore vetëm për një person. Gjithashtu për biznesin e vogël në shkallë vendi, ka rezultuar se raporti i subjekteve me numrin e kontriubuesve është 1 subjekt me 1.29 kontribues”, deklaroi zoti Ceku.

Shqipëria ka gjithsej 106 mijë biznese aktive. Por KLSH thotë se vitin e kaluar paguan kontribute vetëm 55 për qind e tyre. Pjesa tjetër ose nuk deklaron ose  deklaron aktivitet zero. Por zoti Ceku tha se edhe ata që paguajnë bëjnë deklarime të rreme.

”Rreth 18.6 përqind e kontribuesve deklarohen dhe paguajnë kontribute me pagë minimale. Shifra është e lartë, po shkon rreth 20 përqind”, shtoi Ceku.

Ministri i Financave, zoti Bode thotë se pagat e ulëta shpjegohen me vetë strukturën e biznesit shqiptar

”Gjithë sektori i manifakturës paguan me pagë referuese minimale dhe ju e dini që kjo industri ka një numër të punësuarish që është shumë i madh dhe këtë ne e kemi pranuar që të gjithë që të paguhen me pagën referuese minimale.

Shifrat e KLSH për fshehje masive të kontributeve vijnë vetëm pak kohë pasi kryeministri lëshoi në publik sinjale për rritjen progresive të moshës së pensioneve.

Top Channel