Pasdite në TCH, dhuna në punë

03/10/2011 19:10

Dhuna ndaj grave në mjediset e punës u vendos në qendër të vëmendjes së emisionit të pasdites gjatë ditës së sotme, duke u rikthyer tek ngjarja e shëmtuar që ndodhi disa javë më parë në zyrat e Bashkisë së Tiranës.

Dy punonjëse të zyrës së Tatimeve u dhunuan fizikisht, pasi refuzuan të pranonin shkarkimin e tyre të paargumentuar nga puna, të paktën sipas deponimit të dorëzuar në Prokurori nga vetë punonjëset.

Anila Çobani dhe Etleva Dura, dy ish-inspektoret e dhunuara, dëshmuan në emisionin e “Pasdites” për poshtërimin e vuajtur në institucionin ku punonin prej vitesh, shprehën revoltën e tyre të brendshme për zvarritjen e çështjes në dyert e organeve kompetente, në të njëjtën kohë që i bënë një thirrje të gjitha grave të dhunuara në ambientet e punës që të mos heshtin dhe të denoncojnë ngjarjet.

”Jemi të vendosura të çojmë deri në fund, me vendosmëri dhe kurajo procesin tonë për drejtësi”, deklaroi Zonja Dura, pas dëshmisë tronditëse të dhunimit të saj fizike vetëm sepse tentoi t’i vinte në ndihmë koleges së saj.

Në datën 6 shtator, të dy inspektoreve iu komunukua gojarisht se duhet të braktisnin vendin e tyre të punës dhe këtë duhet t’a bënin menjëherë, brenda asaj dite. Sipas të dy grave, ky vendim motivohej për shkak të pjesëmarrjes së tyre në strukturat e Partisë Socialiste, gjatë fushatës zgjedhore.

”Florenc Hoxha, drejtori i ri i Policisë Bashkiake hyri në zyrë, tërhoqi tavolinën dhe na nxorri për krahu jashtë. Refuzova të dilja, por ai më tha se isha e padëshiruar duke përdorur fjalë fyese dhe më goditi me grusht në stomak”, denoncoi ish-inspektorja Anila Çobani.

Si rrjedhojë e padisë së ngritur nga dy gratë, Prokuroria kërkoi pezullimin e Hoxhës nga detyrat e tij publike, kërkesë e hedhur më pas poshtë nga gjykata.

”Është për të ardhur keq kur konstaton mungesën e respektit të institucioneve ndaj çështjes sonë dhe me institucion nuk i referohemi vetëm Bashkisë së Tiranës”, shprehet Dura. “Shoqëria Civile është e vetmja që është solidarizuar me rastin tonë, ndërsa organet e drejtësisë vetëm sa kanë zvarritur çështjen, pa dhënë asnjë verdikt”.

Pavarësisht se padia e tyre ka përfunduar në vesh të shurdhërt deri tani, Çobani dhe Dura “do të vazhdojnë përpara çështjen e tyre, për të mbrojtur të gjitha gratë që dhunohen në vendin e tyre të punës”.

Delina Fico, përfaqësuese e Shoqërisë Civile shprehu keqardhjen e saj për “mungesën e një reagimi zyrtar nga ana e Bashkisë së Tiranës”. Sipas saj, ky institucion i detyrohet së paku një kërkese zyrtare për falje dy ish-punonjësve të tij.

Në fokusin e emisionit të “Pasdites” u vendos edhe skandali i ashtuquajtur si “Shamikuqja”, i cili përfshiu kryetarin aktual të Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu. Sipas pretendimit të një ish-punonjëse të Bashkisë, ajo dhe i fejuari i saj u dhunuan fizikisht, pasi vajza nuk pranoi të shkëmbente “favore seksuale” me shefin e saj.

Sipas përfaqësuesve të Shoqërisë Civile dhe Zonjave Çobani e Dura, dhuna seksuale është edhe më e përhapur se ajo fizike në ambientet e punës dhe për fat të keq, është e përhapur si në institucionet private, edhe në ato publike.

”Të gjithë duhet të bëjmë rolin tonë në shoqëri në mënyrë që të mos lejojmë që gratë, të cilat mund të jenë bashkëshortet, vajzat apo motrat tona, të mos diskriminohen në vendin e tyre të punës”, theksoi Zonja Fico.

Top Channel