Pas Topit, familja Konomi letër Berishës

30/09/2011 20:00

Me dy letra të ndryshme, familja e gjyqtarit të vrarë Skerdilajd Konomi u është drejtuar krerëve më të lartë të shtetit, presidentit të vendit dhe kryeministrit, duke apeluar për zbardhjen sa më shpejt të ekzekutimit mafioz të gjyqtarit Konomi, por edhe sigurimin e jetës së tyre dhe garantimin e një procesi të drejtë për cështjen ku janë përfshirë.

Në letrën e parë publike, drejtuar presidentit, ministrit të Drejtësisë dhe nënkryetarit të KLD-së, familja Konomi kërkon jo vetëm mbrojtjen e pjesëtarëve të familjes, por edhe të gjyqtarëve që do të gjykojnë cështjen e pronave në 3 tetor.

“Po ju drejtohemi në këto momente të vështira si përfaqësuesit dhe garantuesit më të lartë të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, duke u nisur nga zotimi juaj se fajtorët për këtë krim makabër do të vendosen para drejtësisë sa më parë. Ne shpresojmë që më në fund, jeta dhe prona e familjarëve tanë të mbrohen me forcën e ligjit që ju ka veshur me autoritet. Për sa kohë që krimi mbetet pa fajtorë dhe cështja e pronave e pazgjidhur, ne ndihemi të rrezikuar seriozisht për jetën”, thuhet në letrën e parë.

Të hënën gjykata e Tiranës do të marrë në shqyrtim një padi të bërë nga familjet që pretendojnë të njëjtën tokë që ka fituar familja Konmomi, të cilët kërkojnë mosekzekutimin e vendimit të marrë nga Gjykata e Lartë, ndaj dhe familja e gjykatësit të vrarë apelon për një proces të drejtë.

“Pa dashur të hamendësojmë asgjë, kërkojmë që ju të ushtroni të gjithë influencën tuaj që ky proces të zhvillohet sa më i qetë, i rregullt dhe në përputhje të plotë me ligjin. Familja jonë kërkon jo vetëm mbrojtjen e pjesëtarëve tanë, por edhe të trupit gjykues ndaj presioneve të mundshme. Gjetja e fajtorëve të vrasjes së Skerdilajdit dhe finalizimi i proceseve te pronësisë konform ligjit do të lehtësojnë dhimbjen e familjarëve dhe do të japin një shembull të shkëlqyer të mirëfunksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Pavarësisht krimit të tmerrshëm që ndodhi, dhe kërcënimit që qëndron pezull mbi çështjen e pronave, familja Konomi është e vendosur të ndjekë cdo rrugë ligjore për të kërkuar të drejtën e saj, pavarësisht cdo akti kriminal që synon të pengojë drejtësinë”, shprehet familja Konomi në letër.

Ndërkohë, Top Channel ka siguruar edhe një tjetër letër të familjarëve, atë që ata i kanë drejtuar kryeministrit Sali Berisha.

Në këtë letër më të drejtpërdrejtë, familjarët e Skerdilajd Konomit deklarojnë jo vetëm frikën për jetën dhe për humbjen e pronës përmes kërcënimit dhe manipulimeve gjyqësore e të strukturave të tjera, por hedhin edhe dyshimet e tyre se vrasja e gjyqtarit është e lidhur me procesin për kthimin e pronave në Durrës. Ata apelojnë kryeministrin që të garantojë një proces të drejtë gjyqësor.

“Për pesë vjet, Skerdilajdi është përpjekur të gjejë të drejtën në lidhje me pronat e familjes së tij në rajonin e Durrësit. Fatkeqësisht, nuk arriti t’i merrte plotësisht, pavarësisht se Gjykata e Lartë i kishte dhënë të drejta të plota. Ne dyshojmë fuqimisht se vrasja e tij është e lidhur me këtë proces. Duke ndjekur verdiktin e gjykatës, familja ka aplikuar për të regjistruar tokat në zyrën hipotekore. Të shqetësuar se rezultati i këtij gjyqi mund të trukohet për shkak të manipulimeve direkte dhe indirekte, presim nga organet kompetente të ushtrojnë te gjithë fuqinë që i jep ligji për të garantuar drejtësine. Me besim te plotë në mbështetjen tuaj të sinqertë, ne kërkojmë që ligji të sundojë mbi krimin e tmerrshëm ndaj Skerdilajdit, por edhe mbi të ardhmen e jetës dhe pronës së fëmijëve dhe familjes së tij”, thuhet në letrën drejtuar kryeministrit.

Burime diplomatike i kanë thënë Top Channel se ekziston edhe një letër e tretë e familjarëve të Skerdilajd Konomit, drejtuar ambasadave kryesore në vend.

Hetimet, verifikim telefonatave

Megjithë deklaratat e zyrtarëve të policisë se shumë shpejt do kishte emra të dyshuarish për ekzekutimin e gjyatarit Konimi, deri më tani hetimet nuk kanë asgjë konkrete.

Përvec pistës kryesore, që është ajo për vrasje për shkaqe të pronësisë edhe pse cështja vazhdon të jetë e regjistruar tek Krimet e Rënda për vrasje për shkak të cilësive të vecanta duke qenë se i ndjeri ishte gjyqtar, për grupin hetimor kjo është një ndër cështjet më të vështira për t’u zbardhur.

Pjesëtarë të grupit të hetimeve thanë në rrugë jozyrtare për TCH se në vijim të verifikimeve janë kontrolluar tabulatët e telefonatave që janë bërë në vlorë në momentin e shpërthimit.

Nga ora 08:00 deri në 09.30, në Vlorë janë bërë 8 mijë telefonata të cilat po verifikohen. Hetuesit po ecin në këtë pistë pasi shpërthimi është kryer përmes telefonit celular.

Kjo metodë është përdorur në zbulimin e grupit “hijet e natës”, që grabiti dy vjet më parë 500 milionë lekë në Tirane dhe u identifikua më pas nga telefonatat që anëtarët i kishin bërë njëri-tjetrit në castet kur po kryenin grabitjen.

Top Channel