Në 7 tetor, largimi i varrezave të makinave

26/09/2011 00:00

Pas datës 7 tetor Ministria e Mjedisit, në bashkëpunim me Ministrinë e
Mbrojtjes do të nisin punën për largimin e të gjitha subjekteve që
merren me grumbullimin e makinave të vjetra që ndodhen pranë rrugëve
nacionale.

Zevendesministri i Mjedisit Taulant Bino tha ne Komisionin e Mjedisit se ne Shqiperi ekzistojne 290 vendgrumbullime te tilla, ku pjesa me e madhe jane pa leje mjedisore.

“Të 290 vendodhjet janë problematike përsa i takon cilësisë së mjedisit, por edhe sigurisë rrugore. Eshtë menduar që duhet të largohen nga akset kryesore dhe akset e rrugëve kombëtare. Por largimi do të bëhet sigurisht nëpërmjet kërkesave dhe nëpërmjet zbatimit të kushteve. Duhet të merret një leje nga autoritetet vendore dhe ato mjedisore, në rast të kundërt brenda afatit njëmujor që prej hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, varrezat duhet të largohen ndoshta edhe me ndërhyrjen e ministrive të tjera”, tha Bino.

Deputetet e opozites kane kerkuar qe ky akt te zbatohet, pasi te behet identifikimi i makinave qe jane ne keto vendgrumbullime, pasi mendohet qe te pakten 25 % e tyre jo vetem nuk jane te crregjistruara dhe mund te jene perdorur per aktivitete kriminale.

“Kemi kaq kohë që media, gazetat dhe televizionet shprehen që për një muaj do të pastrohet, ndërkohë që njerëzit do ta kenë të qartë se ky akt nuk e zgjidh problemin”, tha deputeti socialist, Blendi Klosi.

Vetem ne Tirane ndodhen 63 pika grumbullimi te tilla, per te cilat problem i madh eshte gjetja e vendeve ku do te zhvendosen. Nese pronaret nuk pranojne qe te zhvendosin bizneset e tyre, atehere permes ushtrise do te behet sekuestrimi i te gjithe mallit.

110 mijë makina për skrap

110 mijë është numri i makinave të cilat mendohet se janë cuar për skrap. Këto makina nuk janë crregjistruar dhe mendohet se janë pjesë kryesore e materialeve bazë me të cilat merren bizneset që grumbullojnë makina jashtë funksionit.

Projektligji  për makinat në fund të jetës, synon që të disiplinojë këtë treg duke hequr nga tregtimi  të gjitha pjesët e rrezikshme të makinave që përmbajnë substanca të rrezikshme, sic është plumbi, zhiva, kadniumi dhe kromi 6 valent

Operatorët që do të merren me këtë biznes, duhet që të kenë të gjitha certifikatat që tregojnë se ky automjet ka dalë nga qarkullimi dhe ku do të jetë destinacioni i tij final. Një formë për të shmangur edhe abuzimet e ndryshme që mund të jenë kryer me këto automjete.

Në këtë projektligji saktësohet se më 1 janar të vitit 2017  ripërdorimi dhe rikuperimi i automjeteve në fund të jetës do të rritet të paktën deri në 85 % të peshës mesatere për automjet cdo vit.
 

Forca të Armatosura për “varrezat e makinave”

Me 7 tetor nis aksioni në mbarë vendin, i përqendruar në akset rrugore për zhvendosjen e pikave të grumbullimit të mjeteve të përdorura, të dala jashtë përdorimit dhe që përdoren për pjesë këmbimi, që ndryshe quhen “varrezë makinash”.

Të konsideruara nga Kryeministri si “kartolina turpi” në sy të turistëve, operacioni i fundit ka vënë në lëvizje katër ministri, atë të Financave, të Punëve Publike, të Mbrojtjes dhe Ministrinë e Mjedisit, e cila kryeson procesin.
 
Gazeta “Shqip” zbulon detajet e planit për zhvendosjen e “varrezave”, të cilat shtrihen kryesisht anash akseve nacionale, duke ndikuar negativisht në mjedis, sigurinë rrugore e deri në kriminalitet.
 
Të dhënat e Ministrisë së Mjedisit tregojnë se aktivitetin privat të tregtimit të pjesëve të këmbimit dhe shitjes për skrap të makinave të përdorura e ushtrojnë rreth 290 subjekte. Zhvendosja e këtyre pikave duhet të kryhet nga privati, por në rastet kur palët nuk bien dakord, qeveria ka menduar të përdorë mjetet e ushtrisë, të vetmet që kanë kapacitete për të transportuar tonelatat me hekurishte.

“Për kryerjen e transportit dhe të trajtimit të materialeve të konfiskuara është ngarkuar Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet Forcave të Armatosura, të cilat janë të vetmet forca të afta për t’u organizuar dhe kanë mjetet për të kryer me sukses këtë mision”, shprehet Ministria e Mjedisit, në relacionin që shoqëron aktin normativ të qeverisë, i cili ka hyrë në fuqi më datë 7 shtator.

Zbatimi i këtij operacioni duhet të nisë këto ditë për t’u finalizuar brenda muajit të ardhshme. Sakaq, Ministria e Mjedisit ka vendosur në gatishmëri të gjithë inspektorët, ndërsa shton që janë marrë të gjitha masat. Ajo që shikohet me shqetësim ka të bëjë me afatin 30 ditë për zhvendosjen e hekurishteve. Për biznesin ky afat nuk mjafton, por megjithatë, ata konsiderojnë problem edhe pronën e tyre, tokën që kanë blerë, investimin e kryer etj.
 
Në analizën e kryer nga Ministria e Mjedisit janë renditur një sërë shkaqesh negative të shkaktuara nga tregu i makinave të vjetra, të dala jashtë përdorimit. Sipas specialistëve, vendgrumbullimet, në përgjithësi nuk janë të pajisura me leje mjedisore dhe ndodhen në vende të paautorizuara, kryesisht në toka bujqësore, toka urbane, si dhe në zona të banuara. “Vendndodhja e tyre ka shkaktuar shumë probleme në asketin mjedisor, teknik dhe të sigurisë rrugore”, sqaron Ministria e Mjedisit.

 

Top Channel