Arrëza, aty ku lulëzon masakra mjedisore

26/09/2011 20:30

Zona të tëra në të gjithë Shqipërinë po zhvishen nga pyjet, në një masakër mjedisore që nuk sheh të ndalur.

E pamundur të gjesh sot qoftë edhe një cep të vogël në të gjithë vendin që t’i këtë rezistuar barbarisë së abuzuesve që në të shumtën e rasteve punojnë e mbështeten edhe nga ata që kanë për detyrë t’i mbrojnë këto zona. Me këtë ritëm shkatërrimtar, shumë shpejt pyjet e Shqipërisë do të jenë një realitet i shkuar mes fotosh e filmimesh të vjetëruara nëpër arkiva.

Vetëm pak kilometra nga fshati Dardhë i Korçës diku e fshehur në një luginë të gjerë mes malesh, shtrihet Arrëza. Shtëpitë e gurta ku gjarpërojnë rrugicat e kalldrëmta duken si zgjatime të mbira nga një e shkuar, që këtu duket se nuk është larguar kurrë. Nën sfondin e hirtë, fshati me rreth 300 banorë e ka ndjerë pak ose aspak dorën e shtetit, që në Arrëz duket sikur ka zbritur për herë të fundit dhjetra e dhjetra vite më parë, diku mes kohërave të sistemit të shkuar.

Pikërisht kjo harresë, jo e paqëllimtë, duket se ka krijuar një ishull të fshehur që përtej qetësisë së rreme e natyrës në dukje të paqme fshesh një masakër mjedisore, që po shkreton pa mëshirë gjithë pyjet e kësaj  zone. Në Arrëz realiteti është më shumë se shokues, abuzimi kalon çdo kufi të imagjinueshëm.

Varganet e gjate te druve jane shtruar thuajse ne te gjithe hapsiren e fshatit ne pritje te makinave te tonazhit te rende që vijne ketu per tu ngarkuar me se shumti gjate oreve te nates.

Karvanet ikin e vijne, vijne e ikin pa u ndalur gjate gjithe dites, duke rrjepur zona te tera nga pyjet, pa u shqetesuar nga askush. Diku sharra e me tej sopata, degjohen qartazi nga majat e maleve qe duket sikur renkojne perballe ketij sulmi barbar qe perseritet e perseritet cdo dite si nje ritual i kobshem qe ka denuar me vdekje natyren e gjithcka qe e rrethon.

Shtigjesh, dallohen ata qe zbresin ngadale e te pashqetesuar, teksa te tjere vazhdojne betejen shfarrosese ne te cilën secili ruan hapsiren e tij te shkaterrimit.

Ne krah te fshatit dallohet vetem nje zone e paprekur dhe kjo jo per shkak se dikush eshte treguar i meshirshem. Ky pyll, sic na thote nje banor, konsiderohet i shenjte per shkak te nje vakefi qindravjecar qe shtrihet ne qender te tij. Kjo ka bere qe banoret e zones qe si ndruhen aspak shtetit e ligjit, te kenë frike vetem nga hakmarrja e perendise. Historite e gojedhanat e shumta per njerez qe kane gjetur shërim ne kete vend, duket se kanë qene edhe shpetimtaret e vetem qe e kane mbrojtur kete copez pyll nga shkretimi i hordhive barbare.

Pylli i shenjte qendron perkrah fshatit, e cungjeve te prere anembane tij si simboli me ironik i raportit me shtetin dhe pafuqise se tij ne Arrezen e vogel, qe perfaqeson te gjitha ato zona qe sot ne Shqiperi po shpartallohen e zhvishen nga pyjet.

Ne brendesi te fshatit, kasapana merr nje tjeter forme me te sofistikuar e me fitimprurese per shkelesit e ligjit. Shumica e shtepive karakteristike te Arrëzës te ngritura me gure e te mbuluara me plloca jane shnderruar ne sharra ku perpunohet nje sasi e pallogaritshme e drurit. Mesa duket stivat per dru zjarri jane vetem maja e ajzbergut e nje biznesi fort mire të organizuar qe shkon shume me larg e për të cilin punon thuajse i gjithë fshati.

Sasi te medha te drurit te perpunuar te gatshem per industri jane stivuar ne pritje te bleresve te rradhes, qe vijne, ngarkohen e largohen ngadale, duke marrë me vete  nje pjese te natyres se Arrezes qe po shuhet cdo dite ne kete mizori te rradhës. Nga rrugica ne rrugice asgje nuk ndryshon pervec sasise se drurit qe rritet apo zvoglohet sipas rastit e qe lidhet mesa duket me fuqine e pushtetin e pronarit te tij.

Per rojtare apo inspektorë pyjorë nuk behet fjale, ketu gjithcka kryhet pa asnje pengese, çka nenkupton se mes dhunuesve e strukturave ka nje marrëveshje që i bën ata dhe transportuesit e drurit të paprekshëm. Një bashkëpunim i ngushtë ku viktimë e vetme është natyra.

Pyje që zhduken e cungishte që ngrenë krye nga toka si një ushtri e gjymtuar, mijëra hektarë të zhdukura, si pasojë e një raporti të çuditshëm mes shtetit inekzistent dhe banorëve dhunues që marshojnë çdo ditë mes majave që po zbathen me shpejtësi marramendëse. Arrëza është veçse një fshat i vogel që shkrihet me realitetin shqiptar, ku natyra po përballet me një mizori të pandalshme. Diku pyjet, diku lumenjtë, diku malet, diku kodrat, diku deti e gjithçka tjetër duket e dënuar mes histerisë që në këto 20 vjet ka shpartalluar gjithçka.

Kjo është Arrëza, kjo është Shqipëria simbol i një rrënimi mjedisor që përtej fjalëve boshe e premtimeve të stërzgjatura nuk ka prodhuar asgjë më shumë. Shumë shpejt do të jetë tepër vonë e atëherë do të na duhet të themi, na ishte njëherë natyra shqiptare.

Top Channel