Femrat me uniformë policie

22/09/2011 00:00

Zëvendësministrja e Brendsme Iva Zajmi, gjatë një komunikimi për mediat deklaroi se, do të ndryshojë rregullorja për pranimin e grave dhe vajzave në polici, duke u dhënë lehtësi atyre.

Sipas Zajmit, marrja e lejes së drejtimit të automjeteve ka qenë një ndër problemet dhe kjo është shtyrë që aplikantet nëse fitojnë, mund ta marrin lejen e drejtimit të automjeteve në një kohë të dytë.

Ajo ka bërë thirrje gjatë një fushate sensibilizimi për gratë dhe vajzat, që të aplikojnë deri në datën 18 nëntor në drejtoritë e policive të zonës ku banojnë.

Zajmi deklaroi se Shqipëria ka një numër të ulët të femrave në radhet e saj.

“Janë disa masa lehtësuese si ajo për paraqitjen në një kohë të dytë për dhënien e patentës, apo masat që do të jenë në vijim si ato për fituesit, një për djem dhe një për vajza. Prania e femrave në polici është 10 për qind, mjaft e ulët krahasuar me vendet e rajonit”, tha Zajmi.

Drejtuesit e policisë mendojnë se prania e femrave nuk do të sjellë ndonjë ulje të eficencës së punës, por do të ndihmojë sidomos në komunikimin me publikun.

“Presupozohet që të ketë edhe femra, pasi mund të përballin më mirë punën e marrëdhënieve me publikun. Ne synojmë ta shtrijmë planin në gjithë Shqipërinë”, tha zyrtari i policisë, Rasim Borishi. Gjatë këtij viti pranimi në shkollën e policisë do të jetë vetëm për femra.

Top Channel