Taksa e paligjëruar e arsimimit

20/09/2011 00:00

Xhovani Shyti – Hapja e dyerve të sistemit shkollor parauniversitar, përpara mijëra
prindërve ka ngritur pyetjen nëse do ta paguajnë edhe këtë vit taksën e
paligjshme prej dhjetë mijë lekësh? Sepse ka disa vite radhazi që kjo
taksë e pashpallur, pra e paligjëruar, u zhvatet prindërve, duke vënë në
sedër fëmijët, edhe pse e drejta e arsimimit në nivelin shkollor
parauniversitar, ligjërisht është falas.

Të vërtetën e pagesës së kësaj takse antiligjore e konfirmojnë në të gjitha shkollat e kryeqytetit, pa përjashtim, së bashku me faktin se detyrimi për ta paguar “me dëshirë” shumën e mësipërme, të artikuluar si “kontribut”, shtrihet edhe nëpër shkollat e rretheve të tjera të vendit, duke e shndërruar kështu aksionin, në fenomen.

Sipas jo pak prindërve, por edhe mësuesve të shkollave “Hasan Prishtina”, “Sinan Tafaj”,“Qemal Stafa”, “Petro Nini”, “Edit Durham”, “Çajupi”, “Gjergj Kastrioti”, “Fan Noli”, “Jordan Misja” etj., sezoni i vjetshëm ishte i treti vit rresht, që drejtoritë i urdhëronin mësuesit kujdestar që, nëpërmjet fëmijëve nxënës, t’u kërkonin prindërve pagesën e shumës dhjetë mijë lekë, duke e justifikuar këtë me pagesat që duhen bërë për rojën, pastrueset, detergjentet, letrën higjienike, perdet etj., apo për lyerjen e klasave, blerjen e orendive e mjeteve të tjera të mësimdhënies. Një kërkesë absurde kjo po të kihet parasysh qenia falas e arsimit parauniversitar, çka presupozon faktin që çdo shpenzim i kërkuar për mbarëvajtjes e tij duhet të përballohet nga buxheti i shtetit. Mirëpo, kjo antiligjshmëri nuk i ka ndalur drejtoritë arsimore ta fusin si një praktikë detyruese atë që, në fakt, është veprim antiligjor, madje i klasifikuar penalisht si gjobëvënie.

“Vitin e shkuar u ankuam për këtë gjë, pasi na duket e padrejtë që të paguajmë për lyerjen e klasave, për pastrimin, për detergjentet dhe letrën higjienike, për rojën, për blerjen e perdeve e orendi të tjera mësimore që janë detyrim i shtetit dhe jo i yni. Drejtori na tha se nuk kishin fonde për të përballuar këto shpenzime, ngaqë qeveria nuk i jepte. Por ai na tha se po të donim edhe mund të mos e paguanim kontributin, ndërkohë që mësuesja kujdestare nuk linte orë pa ia përmendur fëmijës mospagesën “vullnetare”.

Kështu shprehet Alfred J., prindi i një nxënësi të klasës së shtatë dhe këtë skemë funksionimi, për pagesën e gjobës, e denoncojnë edhe të tjerë. Madje duke shtuar se si pagesë e paligjëruar nuk është vetëm dhjetë mijëshja e fillimit, por disa si puna e saj. Kristaq B. jep detaje të bisedës që ka zhvilluar me drejtoreshën e njërës prej shkollave të kryeqytetit, identitetin e të cilës këmbëngul të mos e publikojmë.

“Iu ankova pasi nuk m’u duk e drejtë që pas shpenzimeve të mezi përballueshme nga ana jonë për libra, fletore e mjete kancelarie, që më shkuan diku te 80 mijë lekë (të vjetra) për dy fëmijët e mi, tani duhet të paguaj përsëri. E dini si m’u përgjigj drejtoresha? Në mënyrë të turpshme: “Nuk do paguash për mua, do paguash për arsimimin e fëmijëve të tu”. Për çfarë arsimimi, ia ktheva, arsimi është falas te ne. Ajo më ktheu një përgjigje, që nuk ma nxë goja ta them, dhe, pasi u grindëm, u betova që të mos paguaja. Por e di çfarë ndodhi? E pagova, sepse çdo ditë mësuesja kujdestare ia përsëriste në sy të klasës tim biri mospagesën e dhjetë mijëshes. Aq sa po të mos e kisha paguar kontributin, djali do detyrohej të linte shkollën”.

Megjithëse ndodhia i përket vitit të shkuar arsimor nuk ka asnjë garanci se nuk do të ndodhë e njëjta gjë edhe këtë vit. Kur, megjithëse, ligjërisht i papërligjur, kontributi “vullnetar”, që në fakt, juridikisht, është gjobëvënie, ka nisur të shfaqet sërish, si një politikë menaxhuese prioritare e sistemit tonë arsimor parauniversitar, të cilin shteti e garanton falas. Por, marrja e dhjetë mijë lekëve, nga çdo prind nxënësi, del të klasifikohet penalisht si vepër e dënueshëm edhe për faktin tjetër se, pas grumbullimit, destinacioni i shpenzimit të shumave milionëshe, mbetet enigmë. Ngaqë askush prej grumbulluesve dhe menaxhuesve të këtyre shumave nuk merr mundimin t’ua bëj transparent prindërve, por edhe sepse, në përgjithësi, nuk disponohet asnjë lloj dokumentacioni, që të vërtetojë pretendimet gojore. Për këtë arsye, natyrshëm lind pyetja: Ku shkojnë, në të vërtetë, këto të ardhura të paligjshme?

“Me sa mbaj mend, para se të paguanim vitin e shkuar, mësuesja kujdestare na tha se me lekët e grumbulluara do të lyhej klasa, do të bliheshin perde, ngrohës, magnetofon etj. Madje, në mbledhjen me prindërit na u tha se për çdo shpenzim do të disponoheshin faturat e blerjeve, që do na bëheshin të ditur në njërën nga mbledhjet e ardhshme. Më vjen zor ta them, por asgjë nga këto nuk u realizua”.

Edhe denoncuesi i kësaj ndodhie është një tjetër prind. Nga ata që kanë paguar gjobën vitin e shkuar arsimor dhe që ndihet në siklet këtë vit, pasi fëmijët ia kanë përmendur sërish pagimin e kontributit vullnetarisht. Veçse në formën e pyetjes, që ia ka ngritur qimet e kokës përpjetë këtij prindi të gjorë, i cili ka katër fëmijë që ndjekin mësimet në sistemin parauniversitar dhe për të cilët duhet të paguaj nga një dhjetë mijëshe. Nga një dhjetë mijëshe të paligjëruar. Që bëhen, minimumi, 15 milionë lekë (të vjetra), që mund të grumbullohen nga vjelja e gjobave të prindërve të një shkolle që ka 1500 nxënës, e shumë më shumë se kaq për ato që kanë numër nxënësish mbi këtë kufi.

Pagimi nuk është një praktikë e sajuar nga poshtë, sikurse përpiqen ta argumentojnë në dikasterin përkatës, por nga sipër. Nga Ministria e Arsimit, që ka instruktuar pagesën “me dëshirë” të çdo prindi. Një strategji tinëzare dikasteriale e pranuar edhe nga disa drejtues shkollash e mësues kujdestar. Disa prej të cilëve ngrenë supet dhe sqarojnë se është ministria që urdhëron në fshehtësi drejtuesit e institucioneve arsimore, kurse këta të fundit ia përcjellin urdhrin mësuesve kujdestar nën porosinë shpotitëse “kujdes, gjithçka me dëshirë”!

“Edhe mua më duket e pakuptimtë që prindërit të paguajnë për një shërbim që ligjërisht ofrohet falas nga shteti. S’di ç’të them, unë dhe kolegët jemi të detyruar të zbatojmë atë çka na urdhërojnë titullarët e shkollave. “Kontribut vullnetarë”, thonë ata, kështu themi edhe ne. Ka edhe nga ne që gjejnë forma për t’i detyruar të paguajnë, nuk them.., por, në përgjithësi, prindërit paguajnë prej turpit. Kanë, nuk kanë, japin…Keni të drejtë ky është abuzim, por jo nga ana jonë…Nga drejtoritë. Hasëll-hasëll nga Ministria e Arsimit. Sa për korrupsionin me të ardhurat e grumbulluara nuk di ç’të them, sepse unë të paktën i kam dorëzuar në drejtori. Të tjerët nuk di si veprojnë. Unë për vete ndihem e qetë edhe në këtë pikë”.

Janë deklarata të bëra nga drejtues institucionesh dhe mësues që ngrenë supet përballë pyetjes: a do të aplikohet edhe këtë vit arsimor gjoba antiligjore dhjetë mijë lekë për çdo nxënës, i cili studion në sistemin parauniversitar, që ka vetëm pak ditë që ka hapur dyert?

Top Channel