Polica bashkiake në vend që të pengojë ndërtimet pa leje, bëhet palë me abuzuesit të cilët ndërtojnë në një pronë private të kontraktuar me qira nga Top Channel me Ministrinë e Ekonomisë tek ish-ambientet e Kinostudios Shqipëria e Re, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave.

Ndonëse ndërtimi i kësaj porte ka shërbyer disa herë si burim konflikti, këtë radhë është Policia Bashkiake, e cila ka qenë në krah të personave që kanë abuzuar mbi një sipërfaqe që i përket një tjetër subjekti, për të cilin ai ka kontratë të rregullt me Ministrinë e Ekonomisë, leje të rregullt për rrethimin e tij nga KRT-ja e Bashkisë së Tiranës.

E kundërta ndodh me ata që kanë nisur punimet në pronën e tjetërkujt, të cilët nuk kanë asnjë dokument dhe asnjë leje për këto ndërtime. Punonjësit e Policisë Bashkiake që ishin të pranishëm për të mbështetur ndërtimin pa leje përveçse kanë penguar rojet private të kryenin detyrën në ruajtje të pronës, por nuk kanë pranuar as të justifikojnë ndërhyrjen e tyre me asnjë dokument apo urdhër nga bashkia.

Ndonëse me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm madje edhe me leje nga KRT-ja e Bashkisë së Tiranës, zotëruesit me qira të kësaj prone nuk kanë gjetur as mbështetjen e Policisë së Rendit e cila ka mbërritur, por nuk ka ndërhyrë.

Dy policitë si ajo e Shtetit dhe ajo Vashkiake dëgjonin debatin mes palëve  ku njera palë disponon dokumentacionin ligjor, ndërsa pala tjetër shfrytëzon për mbrojtje të veprimeve të saj policinë bashkiake, pa asnjë urdhër apo dokument. Në një rast kur duhet të ndodhte e kundërta, që policia bashkiake të ndërhynte për të ndaluar një ndërtim pa leje, aq më tepër në një pronë private të një subjekti tjetër të licensuar.

Vetëm pas dy orësh debat, ka reaguar Policia e Rendit duke kërkuar parqitjen në komisariat të dy palëve.

Përfaqësues të policisë private që kanë në ruajtje subjektin kanë bërë kallëzim ndaj palës tjetër që kërkon të zërë një territor të dhënë me qira nga Ministria e Ekonomisë dhe Policisë Bashkiake që e ka mbështetur këtë agresion. Kjo sipërfaqe toke i është dhënë më shumë se dy vite më parë televizionit Top Channel, i cili pati lidhur një kontratë të rregullt me Ministrinë e Ekonomisë dhe ku për gjatë gjithë kësaj kohe ka investuar vetëm në pagesë qeraje më shumë se 200 mijë euro.

Por, për shkak të konflikteve që vetë shteti ka patur me fqinjët dhe një grupi personash që pretendonin pronësi mbi truallin, Top Channel nuk ka mundur të shfrytezojë për asnjë ditë pronën për të ndërtuar aktivitetin e tij, pavarësisht investimit të bërë në godinën ekzistuese.

Pasi ka marrë dijeni për konfliktet, Ministria e Ekonomisë ka vendosur të ngrijë vetëm pagesën e qirasë, derisa shteti të zgjidhë konfliktet me këta persona. Por, deri tani, nuk ka patur asnjë veprim konkret për zgjidhjen e asnjë konflikti që vetë shteti ka me individët e tjerë.

Madje, duke lejuar vazhdimin e abuzimit. Ndërkohë, Top Channel ndjehet i cënuar rëndë nga veprimet e policisë bashkiake dhe i kërkon saj të respektojë detyrat e saj në funksion të shtetit ligjor dhe taksapaguesve të saj, duke i mbrojtur ata.

Detyra e Policisë Bashkiake është të mbrojë bizneset që respektojnë rregullat dhe jo t’i dhunojë ato dhe të bëhet palë me shkelësit, në kundërshtim me ligjet dhe rregullat.

Nisur nga dhuna e punonjësve të një institucioni në varësi të Bashkisë së Tiranës ndaj pronës private, Top Channel i kërkon kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha të ndërhyjë duke marrë masa dhe të shprehet publikisht për këtë incident të rëndë.

Top Channel