Egjipt, trazira të dhunshme në Kajro

10/09/2011 08:45

Trazira të dhunshme janë regjistruar në Kajro të Egjiptit, pasi protestuesit vendas sulmuan selinë e ambasadës izraelite në kryeqytet.

Forcat e sigurisë qëlluan gaz lotësjellës ndaj protestuesve, të cilët nga ana e tyre u gjuajtën me gurë dhe bomba molotov makinave të policisë.

Presidenti amerikan Barack Obama i bëri thirrje Egjiptit që të mbrojë ambasadën, pasi Izraeli i kërkoi ndihmë Uashingtonit.

Megjithatë, qindra protestues qëndruan pranë selisë diplomatike, duke u vënë flakën gomave të makinave në mes të rrugës.

Gjithashtu, të shtëna armësh zjarri janë dëgjuar teksa forcat e policisë përpiqeshin të shpërndanin demonstruesit.

Në qytetin e Kajros ka pasur protesta gjatë gjithë javës para selisë së ambasadës izraelite, për shkak të degradimit të marrëdhënieve Egjipt-Izrael.

Protestat e ditës së fundit filluan pas lutjes së të premtes, kur mijëra vetë ishin mbledhur në Sheshin Tahrir për të kërkuar reforma më të shpejta politike pas rrëzimit të presidentit Hosni Mubarak në muajin shkurt.

Top Channel