Ushtarët britanikë torturuan irakianin

09/09/2011 01:35

Arrestimi, torturimi i një të burgosuri irakian në vitin 2003, dhe më pas vdekja e tij vë nën akuzë ushtarët britanike në Irak.  

Në raportin e publikuar më 8 shtator nënvizohet edhe shkelja e rëndë e disipilinës së trupave të Batalionit të Parë, në terren. 26 vjecari Baha Musa, recepsionist në hotelin Hait’ham në Basra dhe nëntë irakianë të tjerë u kapën më 14 shtator të vitit 2003 nga ushtarët britanikë.  

Gruaja e tij kishte vdekur pak kohë përpara kapjes së tij. Dy djemtë e Baha Musa sot janë jetimë. Raporti prej 1336 faqesh del në konkluzionin se vdekja e irakianit të pafajshëm, dy ditë pas arrestimit të tij, erdhi si pasojë e dobësisë fizike dhe keqtrajtimit.

Ai qendroi për 24 nga 36 orët në burg me kokë të mbuluar, një teknikë e marrjes në pyetje, e ndaluar që prej vitit 1972. Por jo vetëm kaq, 93 plagët në trupin e tij, thyerje të hundës dhe brinjëve, dëshmojnë grushtat, shkelmat dhe goditjet që kishte marrë, duke i shtuar edhe mungesën e ushqimit dhe ujit, lodhjen, frikën etj.

Kryeministri britanik, David Kameron tha se ngjarjet që cuan në vdekjen e civilit irakian, nuk duhet të ndodhin më.

“Nëse do të ketë fakte që do të kërkojnë ndërmarrjen e veprimeve, atëherë kjo do të ndodhë”.

Disa prej ushtarëve të përmendur në raport janë pezulluar nga ushtria, nga nisja e hetimeve. Shefi i Ushtrisë, Gjenerali Piter Uoll tha se rrethanat turpëruese hedhin një hije të zezë mbi reputacionin e lartë të shërbimit ushtarak britanik.

Top Channel