Libia, NATO: Gati të zgjasim misionin

08/09/2011 14:45

NATO është gati që, nëse do të jetë e nevojshme, të zgjasë afatin e misionit “Unified Protector” në Libi përtej 26 shtatorit.

Lajmin e bën të ditur agjencia italiane “ANSA”, që i referohet një burimi shumë të kualifikuar të Aleancës.

“NATO do të vazhdojë operacionet ushtarake derisa të jetë e nevojshme, domethënë derisa të ekzistojë kërcënimi për popullsinë”, ka deklaruar burimi.

“Ka zona ku trupat e regjimit vazhdojnë të sulmojnë. Nëse para 26 shtatorit kjo nuk do të ketë marrë fund, atëherë misioni do të zgjatet”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, besnikët e kolonelit Muammar Gaddafi të vendosur në Bani Ualid, në jug të Misratës, kanë goditur pozicionet e rebelëve në zonën e Dinarit, rreth 20 kilometra larg qytetit.

“Ka shumë persona në Bani Ualid që duan të sabotojnë negociatat. Këtu në Dinar i jemi përgjigjur zjarrit, por nuk do të sulmojmë derisa të vendosë Këshilli Kombëtar i Tranzicionit në Bengazi”, kanë deklaruar rebelët.

Ndërkohë, lideri libian Muammar Gaddafi deklaroi sot për një televizion lokal se ndodhet në Libi dhe se do t’i mposhtë NATO-n dhe rebelët.

Top Channel