Niger, kamionët libianë me ar dhe para

06/09/2011 16:15

Kamionët libianë që kanë hyrë gjatë natës së sotme nga Libia në Niger kanë qenë të ngarkuar me ar dhe para.

Lajmin e ka bërë të ditur një zëdhënës i Këshillit Kombëtar libian të Tranzicionit, duke iu referuar burimeve tuaregë.

“Natën e shkuar dhjetë mjete që transportonin ar, euro dhe dollarë kanë kaluar kufirin me ndihmën e një fisi tuareg nigerian”, ka bërë të ditur Fathi Baja, një prej zëdhënësve të KKT-së.

Ai ka theksuar se mendohet të jenë forca besnike të kolonel Gadafit që janë arratisur nga Libia.

Libi, autokolona e armatosur hyn në Niger

Një autokolonë me persona të armatosur nga Libia ka kaluar në Niger. Makinat, të cilat dyshohet se transportonin luftëtarë tuaregë të rekrutuar nga lideri libian Muammar Gaddafi për të luftuar për regjimin e tij, hynë në qytetin Agadez.

Ende nuk është e qartë nëse ndonjë nga familjarët e Gaddafi-t ndodhej në autokolone, ndërkohë që zëdhënësi i tij ka deklaruar se koloneli ndodhet ende në Libi.

Gaddafi ka bërë thirrje për të luftuar deri në vdekje, edhe pse regjimi i tij ka humbur kontrollin e pjesës më të madhe të vendit.

Autokolona e armatosur kaloi kufirin e Nigerit dhe mbërriti në Agadez vonë gjatë ditës së hënë, kanë bërë të ditur burime ushtarake perëndimore.

Burimet thanë se autokolona përbëhej nga 200 deri në 250 makina, të cilat shoqëroheshin nga ushtria e Nigerit.

Gjithësesi, një banor lokal, të cilit i referohet agjencia “Associated Press”, ka deklaruar se autokolona përbëhej nga më shumë se një duzinë kamionësh që mbanin trupa libiane të armatosura deri në dhëmbë.

Top Channel