Itali, grevë kundër masave anti-krizë

06/09/2011 14:40

Miliona italianë të sindikatës kryesore të punës po marrin pjesë në një
protestë njëditore në formë greve kundër masave të fundit anti-krizë të
qeverisë.

Fluturimet janë anuluar, trenat dhe autobusët nuk lëvizin nga vendi dhe zyrat e administratës shtetërore janë mbyllur gjithashtu në të gjithë territorin.

Qeveria është përballur me kritika për paketën anti-krizë prej 45 miliardë eurosh dhe me kërkesat për ta rishikuar atë.

“Ky është një plan që vendi ynë nuk e meriton”, ka deklaruar kryetarja e sindikatës së punëtorëve, Susanna Camusso, duke marshuar në Romë.

CGIL, që organizoi edhe grevën, është sindikata më e madhe e Italisë. Ajo kërkon një aksion më të fortë ndaj evazorëve dhe më shumë mbrojtje për vendet e punës.

Sindikata është inatosur me një klauzolë të re, që do ta bëjë më të lehtë shkarkimin nga puna të punëtorëve.

Megjithatë, sindikata të tjera, më të vogla dhe më të moderuara, kanë refuzuar të marrin pjesë në grevë.

Ato thonë se nuk ka kuptim që të protestohet kundër punëdhënësve në një moment kur vendet e punës janë në rrezik.

Qeveria e qendrës së djathtë e kryeministrit Silvio Berlusconi është detyruar nga partnerët e eurozonës që të miratojë me urgjencë shkurtimin e shpenzimeve qeveritare dhe rritjen e taksave.

Top Channel