Eni Vasili – Fundjava që lamë pas mbylli përfundimisht persianet dhe
dielli nuk hyn më, edhe pse ende i fortë e i nxehtë, nëpër dhomat e
hoteleve që pritën turistë gjatë këtij sezoni.

Po të bësh një shëtitje buzë detit, ajo çka sheh është thuajse një panoramë dimërore. Hotele të kyçura. Tavolina, shezlonë, çadra e pajisje vere të sistemuara cepash në pritje të të ftohtit, kur ende temperaturat shënojë mbi 35 gradë. Pronarët e këtyre hoteleve, të shqetësuar flasin për një sezon turistik me një numër pushuesish minimalë, sidomos në bregdetin e Adriatikut. Asnjëherë më parë plazhi nuk ishte boshatisur kaq shumë dhe kaq shpejt.

Përmes ciklit të shkrimeve “Summertime”, mbi turizmin dhe disa nga shqetësimet rreth tij që u botuan në gazetën “Shqip” në fillim të kësaj vere, u përpoqa të rendis disa nga arsyet se përse është ende herët të flasim për turizëm të mirëfilltë në Shqipëri. Pesimizmi për një sezon të mirë turistik nuk fshihej në radhët e shkrimeve.

Tani që vera mbaroi, pesimizmi është edhe më i madh. Jo vetëm sepse problemet e fillimit të sezonit janë ende aty, por ka edhe më shumë.

Bregdeti i Adriatikut këtë vit ka pasur më pak turistë se kurrë edhe gjatë gushtit, që është muaji i kulmit. Derdhja e ujërave të zeza në Adriatik e ktheu detin në një gropë gjigante septike, ku kutërbimi ndjehej që në autostradë. E sigurisht, pushuesit u kthyen nga kishin ardhur, të tmerruar nga frika e infeksioneve dhe sëmundjeve. Kjo situatë, që zgjati disa ditë, bëri që pushuesit të ngurronin përgjatë gjithë gushtit t’u afroheshin plazheve të Durrësit, Golemit dhe zonave përreth. Disa prej pronarëve e menaxherëve të hoteleve në këtë zonë  hedhin dyshime se ndotja ka qenë e qëllimshme për t’i drejtuar pushuesit diku gjetkë.

Sigurisht, nuk u vërtetua jo vetëm arsyetimi i tyre, por askush nuk u vu përpara përgjegjësisë nga asnjë institucion për këtë dëm të madh mjedisor së pari, dhe financiar së dyti, për bizneset e prekura.

E vetmja gjë që dihet me siguri, është se fundi i kësaj vere i gjeti të zhgënjyer të gjithë, pushues dhe hotelierë të Adriatikut.

E njëjta gjë ndodhi me Shëngjinin, ku një mëngjes deti ngjante me një depozitë nafte. E njëjta ikje nga sytë-këmbët e turistëve, që humbën ditët e pushimit vjetor, paratë dhe të mos llogarisim përsëri dëmet e bizneseve turistike të zonës.

Në Jug situata paraqet një problematikë tjetër. E vetmja gjë me vlerë e kësaj zone është pastërtia e detit dhe bukuritë e natyrës. Fati që deri tani ndërtimet aty janë ende të pakta, të bën të shpresosh që pushteti lokal dhe jo vetëm do të kujdesen që të mos e kthejnë atë bregdet në një gropë septike, të ngjashëm me Adriatikun. Por këto ndërtime, nga ana tjetër, në mungesë të plotë fizibiliteti, të pabazuara në një plan biznesi dhe zhvillimi të zonës minojnë të ardhmen e turizmit afatgjatë dhe me zhvillim të qëndrueshëm. Po t’i shtosh kësaj panorame edhe agresionin e ndërtimeve pa leje, situata komplikohet edhe më shumë. Gjurmët e të vetmit aksion të guximshëm në Jug, të policisë ndërtimore për prishjen e ndërtimeve pa leje në Sarandë dhe Ksamil, duken ende. Por si gjithmonë, çdo punë e nisur lihet në mes. Ato rrënoja janë sot jo vetëm një shëmti turistike, por edhe një burim rreziku për banorët përreth dhe fëmijët e tyre, që i kanë kthyer në kënde lojërash.

Infrastruktura njerëzore krejtësisht e papërgatitur është një tjetër handikap i turizmit tonë. Shërbimi ende nuk shihet si një produkt real  prej të cilit mund të realizosh të ardhura. Sidomos Jugu vuan nga biznesi familjar i hotelerisë, krejtësisht amatorë dhe të papërshtatshëm. Gatimi i keq, sjellja e pakualifikuar e personelit, mungesa e standardeve në trajtimin e klientëve krah tarifave të larta pa asnjë kriter të hotelerisë, prodhojnë ndjenja të forta pakënaqësie tek pushuesit.

Shtoi kësaj dhe vetëm disa përpjekje spontane prej pronarësh varkash, për të kuptuar që turizmi aktiv është një luks që në Shqipëri nuk e njohim ende. Përveçse të shullohesh në diell, të marrësh një varkë me rrema ose skaf të vogël me të cilin mund të bësh shëtitje vetëm përgjatë bregut, për shkak të moratoriumit, asgjë tjetër nuk është alternativë për t’i mbushur me aktivitet ditët e pushimit.

Infrastruktura e cunguar e transportit, me rrugët pa asnjë plan organizimi, pa asnjë shqetësim për kalimtarët e kafshët përreth, mungesa e një aeroporti alternativ apo edhe mungesa e shërbimeve bazë, 24 orë drita e ujë, janë një sëmundje kronike e përvitshme që e bën turizmin shqiptar aspak të shëndetshëm e atraktiv.

Si çdo vit, Ministria e Turizmit po përgatitet të deklarojë numrin e turistëve që kanë vizituar vendin këtë vit. Si çdo vit, ky numër do të jetë disa herë më i madh se një vit më parë. Por edhe sikur të jetë kështu, edhe sikur këta tregues të jenë tërësisht të besueshëm, pyetja që mbetet është: A gjetën këta turistë atë që kërkonin në Shqipëri dhe a do të kthehen sërish?

Marre nga gazeta “Shqip”

Top Channel