Somali, uria mund të vrasë 750 mijë vetë

05/09/2011 16:55

Pothuajse 750 mijë persona mund të vdesin në Somali për shkak të përkeqësimit të thatësirës që mund të verifikohet në muajt e ardhshëm.

Alarmi është dhënë nga Kombet e Bashkuara, të cilat kanë shpallur edhe krizën e urisë në një zonë tjetër të vendit.

OKB thotë se dhjetra mijëra persona kanë vdekur për shkak të thatësirës në Afrikën Lindore, që ka qenë më e keqja në 60 vitet e fundit.

Bej është zona e gjashtë ku është shpallur zyrtarisht kriza e urisë, e cila ka përfshirë kryesisht jugun e Somalisë, të kontrolluar nga militantët e grupit islamik Al Shabab.

Rreth 12 milionë persona në të gjithë rajonin kanë nevojë për ushqime, deklaron OKB, që nënvizon se situata në rajonin e Bejit ka qenë më e keqja.

“Kuota e kequshqimit, kryesisht mes fëmijëve, në rajonin e Bejit është 58 për qind. Kjo është një kuotë rekord”, ka deklaruar zyrtarja e OKB, Grainne Moloney.

“Në total, 4 milionë persona janë në krizë në Somali, 750 mijë prej të cilëve rrezikojnë vdekjen në katër muajt e ardhshëm nëse mungon ndihma”, ka deklaruar Njësia për Sigurinë e Ushqimit.

Gjysma e personave që kanë vdekur janë fëmijë. Edhe vendet fqinje si Xhibuti, Eritrea, Etiopia, Kenia dhe Uganda janë prekur nga mungesa e theksuar e shiut.

Top Channel