Libi, dështojnë bisedimet mes palëve

05/09/2011 10:05

Rebelët libianë, të cilët kanë rrethuar fortesën e kolonel Gaddafi-t,
Bani Walid thonë se bisedimet me mbështetësit e liderit kanë dështuar.

Negociatori i palës së rebelëve tha për BBC se civilët në qytet nuk arrijnë të lëvizin dhe se tashmë ekziston frika se pikërisht këta njerëz mund të përdoren si hakmarrje apo si mburoja. Sipas tij, forcat pro-Gaddafi-t i kanë kërkuar rebelëve që të futen në qytet të paarmatosur në rast se duan bisedime.

Ndërkohë po sipas negociatorit, nuk është e sigurtë nëse djali i kolonel Gaddafi-t është vrarë apo jo.

Këshilli Kombëtar i Tranzicionit njoftoi më parë se Khamis vdiq gjatë luftimeve pranë Tripolit dhe se trupi i tij u varros pranë Bani Walid.Po ashtu edhe Muhammad, djali i ish-kreut të përgjimeve Abdullah Senussi,ka mbetur i vrarë.

Bani Walid, 150 kilometra në juglindje të Tripolit, bashkë me Jufra-n, Sabha-n dhe Sirte-n janë katër zonat e kontrolluara ende nga forcat e Gaddafi-t.

Drejtuesi i Këshillit Abdel Jalil tha se për bastionet e Gaddafi-t janë dhënë ndihma humanitare, duke theksuar se i është dhënë edhe kohë për t’u dorëzuar me qëllim që të evitohet gjakderdhja.

Libi, çmimi i lirisë, 50 mijë të vrarë

Çmimi i paguar për rrëzimin e diktatorit Muamar Gadafi është i lartë. 50.000 vetë besohet të jenë vrarë gjatë rebelimit kundër regjimit të pushtetmbajtësit libian.

Me këmbëngulje vazhdon të përhapet fjala se vetë Gadafi ndodhet në qytetin e tij të lindjes. Lajme të tjera flasin për qytetin Beni Ualid, në jug-lindje të Tripolit, ku koloneli gezon një mbështetje të gjerë.

Zëdhënësi i kryengritësve, Al Amen Bolhaj e paraqet jo shumë të rëndësishëm një arrestim të mundshëm të Gadafit.

“Të gjithë libianët shpresojnë që ta arrestojnë sa më shpejt që të jetë e mundur Gadafin. Por ky nuk është synimi ynë i parë, ne nuk jemi të fiksuar në kapjen e tij. Ne duam të ndërtojmë një Libi të re”, është shprehur ai.

Autoritetet e përkohshme libjane po përgatiten të zhvendosen në Tripoli nga fortesa e tyre e gjithë kësaj kohe, Benghazi.

Kreu i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, Mustafa Abdul Jalil, u shpreh se mbështetësit e tij mund të lëvizin drejt kryeqytetit brenda javës së ardhshme.

Grupeve anti-Gaddafit që patrullojnë rrugët e Tripolit u është kërkuar të shkojnë në shtëpi, ndërsa në kryeqendrën e vendit po tentohet rikthimi në normalitet. Por në pjesë të tjera të Libisë, luftime vazhdojnë.

Rebelët po avancojnë ngadalë drejt Sirte-s, vendlindjes së kolonelit, njëkohësisht bastion i besnikëve të tij.

Ultimatumi i dhënë këtyre të fundit për të hedhur armët, është deri në 10 shtator.

Kryengritësit po merren edhe me disa xhepa rezistence në dy vende të tjera më të vogla, Bani Walid dhe Sabha.

Vendodhja e Gaddafit vazhdon të mbetet një mister, por qarkullojnë fjalë se lideri i përmbysur libian mund të fshihet në njerin prej këtyre tre vendeve, ku ende gëzon përkrahje.

Një ditë më paëe, Këshilli i Tranzicionit njoftoi se 5 kompani ndërkombëtare të energjisë po rifillojnë operacionet në vend, një hap i rëndësishëm ky në përpjekjet e Tripolit për rindërtimin e ekonomisë së shkatërruar nga lufta dhe sanksionet.

Një nga anëtarët e Këshillit, Arif Najed, tha se mes kompanive është edhe gjigandi italian i naftës, ENI.

Ai i bëri këto komente në Paris, pas takimit mes drejtuesve të Këshillit Kombëtar dhe zyrtarëve të huaj, të cilët po bashkëpunojnë për të gjetur mënyra specifike për të ndihmuar vendin pas luftës disa mujore me forcat e Muamar Gadafit.

Top Channel