Kryqi i Kuq, akses në burgjet siriane

05/09/2011 19:10

Kryqit të Kuq Ndërkombëtar iu dha leja për të vizituar një burg në Siri, për herë të parë pas ngritjes së shqetësimeve mbi trajtimin e të burgosurve.

KKN deklaron se ka vizituar tashmë burgun kryesor të Damaskut, në zonën periferike të Adrës, ditën e diel.

Presidenti i Kryqit të Kuq, Jakob Kellenberger ka deklaruar se sot ka zhvilluar gjithashtu bisedime me presidentin sirian, Bashar al Assad.

Amnesty International deklaroi javën e kaluar se dyshonte se të paktën 88 të burgosur sirianë kanë vdekur në pesë muajt e fundit.

“Autoritetet siriane i kanë lejuar për herë të parë KKN-së akses në një qendër burgimi. Takimet e para kanë qenë me të burgosur të zgjedhur nga Ministria e Brendshme, por shpresojmë që së shpejti të takojmë edhe të burgosurit e tjerë”, ka deklaruar Kellenberger.

Gjatë bisedimeve me presidentin Assad, kreu i KKN preku edhe cështjen e përdorimit të forcës nga forcat e sigurisë në Siri, si dhe kërkoi respektimin e të drejtave të të burgosurve.

Në qershor zoti Kellenberger vizitoi Sirinë, por vetëm tani, pas një vizite të dytë, ai siguroi aksesin për të vizituar vetëm një burg.

AI: Masakra në burgjet siriane

Amnesty International ka deklaruar se dyshon se të paktën 88 persona kanë vdekur në burgjet e Sirisë gjatë pesë muajve të fundit.

AI thotë se personat që kanë vdekur, përfshirë 10 fëmijë, janë bërë subjekt i rrahjeve, djegieve, elektroshokut dhe torturave të tjera.

Grupi nënvizon se dyshon që të gjithë personat e vdekur ishin arrestuar pasi kishin marrë pjesë në protestat anti-qeveritare.

Dyshimet, të publikuara në një raport, vijnë pak kohë pasi qeveria siriane mohoi zërat se të paktën një varr masiv ishte zbuluar në periferitë e qytetit jugor të Derasë.

Top Channel