Cameron: Hetim lidhjeve MI6-Gaddafi

05/09/2011 18:45

Kryeministri britanik David Cameron ka kërkuar hetim të dyshimeve se shërbimet sekrete MI6 kanë qenë në kontakt me regjimin e Libisë.

Apeli i Cameron vjen pas lajmeve të publikuara në gazeta, të cilat flisnin për lidhje të afërta mes MI6-ës, CIA-s dhe regjimit të Muammar Gaddafi-t në Tripoli.

Një grup hetimor, që po merret me veprimtarinë e agjencive britanike të sigurisë në torturimin e të dyshuarve për terrorizëm, ka deklaruar se do ta hetojë cështjen.

Grupi në fjalë po heton mbi deklaratat e një lideri ushtarak anti-Gaddafi, që thotë se Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara duhet t’i kërkojnë falje për organizimin në vitin 2004 të transferimit të tij në Libi.

Abdel Hakim Belhaj deklaron se ai ishte marrë në Libi në kuadër të një operacioni të CIA-s dhe MI6-ës, pasi ishte arrestuar në Bangkok, dhe ishte torturuar.

Belhaj ishte atëherë një i dyshuar për terrorizëm, ndërsa sot është në krye të trupave ushtarake libiane në Tripoli.

Deklaratat e tij duket se konfirmohen nga disa dokumente të gjetura në një zyrë të braktisur në Tripoli nga organizata Human Rights Watch.

Dokumentat e lidhura me Belhaj janë vëzhguar nga redaktori i BBC për Lindjen e Mesme, Jeremy Bowen.

Ndërsa Ministria e Jashtme britanike ka deklaruar se, në bazë të politikave të saj nuk mund të komentojë cështjet e lidhura me shërbimet sekrete.

Top Channel