Siri, vriten gjashtë ushtarë në një pritë

04/09/2011 14:25

Gjashtë ushtarë sirianë dhe tre civilë janë vrarë në një pritë të ngritur nga një grup i armatosur në Sirinë qendrore, bëjnë të ditur mediat shtetërore lokale.

Sipas burimeve, 17 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur pasi personat e armatosur sulmuan një autobus në afërsi të Hamës.

Tre civilët, që sipas agjencive të shtypit ishin rebelë, mbetën të vrarë pas një luftimi të ashpër me forcat e sigurisë.

Siria deklaron se bëhet fjalë për grupe të armatosura të mbështetura nga fuqitë e huaja, të cilat inkurajojnë edhe protestat kundër regjimit të presidentit Bashar al Assad.

Kombet e Bashkuara deklarojnë se mbi 2200 persona kanë mbetur të vrarë në ofensivat e qeverisë që nga nisja e protestave pro-demokratike në mes të marsit.

Ndërsa aktivistët e të drejtave të njeriut saktësojnë se rreth 30 persona kanë vdekur në të gjithë vendin që prej ditës së premte, kur protestat nisin pas seancës së lutjeve.

Ditën e diel, aktivistët kanë deklaruar se forcat e sigurisë qëlluan për vdekje tre persona në provincën veri-perëndimore të Idlibit.

“Forcat e sigurisë, të mbështetura nga ushtria, kryen një sulm në Khan Sheikhuan dhe hapën zjarr, duke vrarë tre persona”, ka deklaruar një koordinatore e aktivistëve.

Top Channel