Japoni, tajfuni “Talas” shkatërron vendin

04/09/2011 13:25

Të paktën 18 persona kanë mbetur të vrarë dhe mbi 50 të tjerë konsiderohen të zhdukur pasi tajfuni i fuqishëm “Talas” përshkoi perëndimin e Japonisë.

Stuhia solli shira të dendura dhe erëra të forta që shkonin deri në 108 kilometra në ofër, pasi u përplas në ishullin Shikoku ditën e shtunë.

“Talas” po lëviz tani në pjesën tjetër të Japonisë dhe drejt detit japonez, ka bërë të ditur sot Agjencia Japoneze e Meteorologjisë.

Por agjencia ka paralajmëruar gjithashtu se se shirat e dendura dhe erërat e forta do të vazhdojnë, duke ngritur kërcënimet për përmbytje dhe rrëshqitje toke.

Rreth 500 mijë banorë, pjesërisht nga perëndimi dhe qendra e Japonisë, janë urdhëruar të largohen nga banesat e tyre, bën të ditur agjencia e lajmeve “Kyodo News”.

Disa nga zonat më të goditura duket se janë prefekturat Nara dhe Uakajama, me shtëpi që janë rrafshuar nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës.

Pas tërmetit dhe tsunamit të 11 marsit, që shkaktoi dhe krizën bërthamore në Fukushima, duket se japonia po vuan një tjetër makth natyror.

Top Channel