Banorët e Izraelit zbritën sërish në rrugë për të protestuar masivisht kundër kostos së lartë të jetesës.
Të paktën 250 mijë persona iu bashkuan protestës, tubimet kryesore të të cilës u zhvilluan në Tel Aviv, Jerusalem dhe Haifa, edhe pse disa media izraelite flisnin për 400 mijë persona.
Protestat e djeshme janë të fundit të një serie manifestimesh të mbajtura gjatë sezonit të verës.
Shumë izraelitë janë të inatosur me kostot e larta të shtëpive, ushqimit, arsimit dhe kujdesit shëndetësor.
Qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu është përgjigjur duke ngritur një komitet të posacëm për ekzaminimin e reformave, ndonëse ai ka paralajmëruar se nuk i plotëson dot të gjitha kërkesat e protestuesve.
Fushëbeteja ekonomike
Protesta më e madhe e së shtunës, të cilën organizatorët e kishin pagëzuar me emrin Marshimi i 1 Milion Qytetarëve, ishte ajo e Tel Avivit.
Presidenti i unionit studentor, Itzik Shmuli deklaroi para turmës: “Ata na thanë se lëvizja jonë po ngadalësohet. Sonte ne po tregojmë se është e kundërta. Ne jemi izraelitët e rinj, të vendosur për të vazhduar luftën për një shoqëri më të ndershme dhe më të drejtë”.
Ndërsa një banderolë e mbajtur nga studentët shkruante: “Një brez i tërë do të ardhmen, ndërsa një tjetër tokën e qumshtit dhe mjaltit, por jo për të gjithë”.
Top Channel